Fryma poetike e së martës me poeten;Drita ADEMI

TRANDAFILI I FUNDIT
———————————-
Mbramë ra shi
Mbi trëndafilin e fundit t’verës
M’u dhimbs,
Ishte si nuse me dashuni t’fjetun.
Fryu era e t’gjitha petalet i ranë n’tokë
E kuqe u ba toka
Nji plagë u çel` n’mue.

A E PE DRITE

A e pe Dritë se bota asht nji përpëlitje
A e pe Dritë se trishtimi asht maja e lumtunis`
A e pe Dritë se verbët hyn n` dhimben e tjetrit
E me sy çelë del nga drita e dhimbes.
A e pe Dritë se bota s’ka kohë t’merret me zinxhirët e fatit tand
Ka hallet e veta bota!
A e pe Dritë se lumi nuk nxjerr vec ranë
Por edhe llum nga e vërteta.
A e pe Dritë si jetohet jeta ;
Ec e ec e përplasesh shkambijve jashtë rrethit
Kjo do t’thotë se nuk mundesh me ndejte brenda krijesës tande
Kur mundohen me të tjetërsua.
A e pe Dritë cka do të thotë loti, me kjajt edhe kur nuk ke shkak
Vec për me e ndije dhimben e jetës.
A e pe Dritë , a e ndjeve?
Si dashurohet bukur, si vdiset bukur…

/www.qendrapress.com/