Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Adifete SHITI

Do të vijë koha
————————
kur dielli do të na rrezë sërish,
jo vetëm mbi tokë, por edhe në shpirt,
duke zgjuar shpresat që na janë mplakur
nën hijen e ditëve të vështira.
Dhe lumenjtë do të marrin hov,
të pastër e të fuqishëm,
duke rrjedhur nëpër tokën tonë dardane
ashtu si dikur, kur këndonin
historitë e stërgjyshërve tanë.
Do të ndriçojë hëna prapë,
edhe pse errësira po mundohet t’ia zhdukë dritën,
sepse hëna nuk dorëzohet kurrë.
Ajo ngrihet lart,
dhe me të ngrihen edhe yjet,
që si rojtarë të qiellit do të shkëlqejnë
për shpirtrat tanë,
për çdo lot, për çdo ëndërr që ende jeton në heshtje.
Era do të kthehet përsëri
me frymën e saj të ftohtë e të ëmbël,
duke na sjellë freski në zemrat që
janë lodhur nga pesha e kohës.
Bagëtitë do të blegërojnë nëpër fusha,
si një melodi e vjetër që e njeh çdo mal,
dhe malet do të na sjellin aromën e llores,
si një kujtim i lashtë që nuk shuhet kurrë.
Zogjtë shtegtarë do të kthehen të lirë,
të valëvitur mbi qiellin e tokës sonë,
duke na kujtuar se gjithçka që largohet,
nëse e do vendin e vet, një ditë kthehet sërish.
Pranvera do të çelë prapë në zemrat tona,
jo vetëm me lule nëpër kopsht,
por me ngjyrat që i pamë dikur e i humbëm rrugës.
Ajo do të na tregojë
se njeriu mund të lulëzojë
edhe pas dimrave më të gjatë,
se forca vjen nga brenda,
se shpresa rritet edhe në tokë të lodhur.
Dhe dimri do të na sjellë borën,
të pastër, të butë, të qetë,
si shenjë paqeje, miresie dhe pastërtie,
duke mbuluar plagët me një mantel të bardhë
që na kujton se çdo fillim i ri
nis nga heshtja, nga qetësia,
nga drita që ruajmë brenda vetes.
/QendraPress/