Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Hana XHIHANI

QËNDISMA E NËNËS SIME

—————————————-

Një drithërimë e zgjatur shpirti,

thurur me fije të gjyrmyshtë,

qëndisma e nënës sime

në këmishën e vjetër të babait.

Ju luta kohës

mos t’ia humbë ngjyrat

kësaj qëndisme të moçme,

që frymon ethshëm

në sytë e mi të mallit

dhe zbraz kujtimet e tkurrura

mbi rrudhat e thella të ballit.

Një ujvarë dhimbjesh

në fijet e perit gjyrmysh,

malli i zjarrtë i gruas,

dashuria e dhembshur e nënës,

psherëtima e heshtur e zemrës,

lektisja e mekur e shpirtit,

marrin trajtën e mallit të patretur,

qёndisur me dashuri

në këmishën e vjetër.

Qëndisma e nënës sime,

poezi e pambaruar

vargje të stolisur,

dy zemra drithëruar.

Një pikturë e heshtur

me gjyrmysh shumëngjyrësh,

si pranvera me lulet e majit

në këmishën e vjetër të babait.

Ajo qëndismë e heshtur,

si këngë e engjëjve,

s’më lë kurrë vetmuar,

mat rrezet e syve të mi,

kujtim i përmalluar…

/www.QendraPress.com/