Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Kimete DURMISHI

FUNDI I POEZISË

———————————

Era i shpërndau të gjitha fjalët,

si gjethe vjeshte pa strehë.

Mendimet u mbyllën në qeli të heshtjes,

shkronjat u arratisën në errësirë.

Sot shkruhet poezia e fundit —

një derë që mbyllet pa zhurmë.

Tornado përpiu çdo tingull,

la pas vetëm copa letrash

dhe boshllëk.

Asnjë gjurmë boje mbi fletë,

asnjë zë që të dëgjohet.

Penda ra nga dora e lodhur,

shpirti mbeti pezull

mes thyerjes dhe vajit.

Por loti i poetit është poezi.

Dhimbja, kur merr formë, bëhet varg.

Dashuria, kur digjet, bëhet dritë.

Dhe poeti

edhe kur hesht

mbetet poezi

KD

Zürich

/QendraPress/