Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Majlinda PAJAJ

Kjo jam unë
——————
Kjo jam unë,
një gjethe e gjelbër,
që mëson gjuhën e erës,
në degët e vetmisë.
Mbi ballë më fle drita,
si një shqiponjë e lodhur,
në kreshtën e gurit,
dhe malli,
ai bari i egër i shpirtit,
rritet atje ku heshtin burimet.
Mos më kërkoni,
në tehun e zemërimit.
Kam ardhur,
si një pëlhurë e bardhë,
mbi plagën e muzgut,
si një frymë që mbledh,
copat e thyera të qiellit,
pas stuhisë.
Jam aroma e trëndafilit,
që mbetet në ajër,
edhe kur petalet bien.
Jam bryma,
që zbret pa zhurmë mbi tokë,
dhe zgjon farat,
nga ëndrrat e tyre të errëta.
E dashuruar me dritën,
e ndjek atë,
si lumi detin,
si ylli agimin,
si lutja emrin e zotit.
Dhe kur nata,
i mbyll portat e saj të hekurta,
mbetem ende aty,
një shkëndijë e vogël,
nën hirin e botës,
duke ruajtur,
për mëngjesin e ardhshëm,
zjarrin e shpresës.
/QendraPress/