Fryma poetike e së mërkurës me poeten ;Mimoza ÇOBO
AJO GRUA LËNGON, POR NUK JEP SHPIRT
———————————————————–
Mbi tempullin e një gruaje, kalëron një re e frikshme,
drithëron ajrin e përgjumur, si kope ujqish me angullima,
në kopshtet e ngazëllimit, bie një heshtje e dhimbshme,
mbi qerpikët e asaj gruaje, krakëllijnë vetëtima.
Atë se frikëson reja, që mjegullon nëpër terr,
shkel me hapa vetëtimash shtigjeve me brymë,
rrëzohet dherave, por ngrihet lis me gjethe e degë,
shkel mbi gjarpërinj dhe përsëri merr frymë.
Aromën e muzës së avullt, lë brazdave në ugarë
dhe flladin erëmirë, ku pinë limfë perënditë ,
nën hënën e përgjakur, e ndjekin dyzet jaguarë ,
ajo grua lëngon, por përsëri nuk jep shpirt.
I vënë gremça në nofulla, ajo s’bie në rrjetë,
kapen pas hijes së saj ,kur fluturon te retë ,
e kryqëzojnë në trungun e rrufesë, ajo bëhet dritë ,
mbërthen jetën me dhëmbë dhe nuk jep shpirt .
Ajo grua shkel shtigje të pashkelura, me brymë ,
dyzet jaguarë e përndjekin në shkretëtirë,
vallëzon mbi dunat e rërës e i godet me frymë ,
shtrëngon jetën me dhëmb dhe nuk jep shpirt.
Mbi tempullin e gruas kalërojnë stuhi të frikshme,
që se njohin fuqinë e guximit të saj ,ku buron,
energjia e mëmësisë dhe e bëmave të ndritshme,
ajo mijëra herë të rrëzohet, jetën me dhëmbë shtrëngon.
©copyright reserved Mimoza Çobo
/www,QendraPress.com/