Fryma poetike e së mërkurës me poeten;Juljana MEHMETI

Si një Doruntinë!

————————-

Vrapi im,
përngjan me kalërimin përmes kohërash
pluhurosur epokash
e thinjur dëshirash të fshehta,
rikthyer magjishëm
në krifën e një kali
që e përpin era të lirë
e thundrave të çelikta
rrahur në ajsbergët e shpirtit
në çelje të vullkaneve braktisur.

Hingëllima e egër
zbritur fëshfërima pyjesh
pasthirrmë e fjalëve të munguara
dhe jehonave mbetur pas
hoveve të thyer
pasqyruar në të kthjelltat liqene
ashtu trokthit të çmendur
shfaqur ngadhënjyes.

Hijet pas,
mbetur reve shtjellë
e tymnajës ngritur lart
gjurmëve të thella, jetë
tek ky kalërim i nisur,
me një frymë
horizonteve të tjera
kortezheve të thurura me ylberë.

…Qiellit mbrrin me rrahjet e tokës
ngritur vrikthi,
si në të fundit vallëzim
ardhur tingujve të largët
e arena të përflakura perëndim
në oshëtima rrahjesh
e klithje dhimbjesh,
si një Doruntinë!

/www.QendraPress.com/