Fryma poetike e së mërkurës me poetin;Gëzim AJGERAJ
Etja e lirisë
———————
Gujën e gjatë ia veshëm mendimit për nesër
pa çka se e djeshmja na gjeti goliç me natë
kush gjeti udhën me kohën i lumtë moti
nga koka, nga mendimi e morëm me të mirë dritën
i ndezëm dhe kandil për agminë e së nesërmes
që të hapërojë e bardhë e lum e bardha
nga ashti, nga dejet e ushqyem me qumështin e shpirtit
e rritëm në gëzofin e shpirtit të mos na mërdhinte etja
pa çka se veten dogjëm për shkëlqimin e saj
ajo erdhi nusërore në kullën e gurtë
sa do pritat e shekujve ia kishin skuqur duvakun
shkëlqeu e bardhë mbi Dardani
Shkëlqimi i fjalës
—————-
Në logun e fjalës
ngritëm kalanë e mendimit
e nesërmja shpalosi buzëqeshjen
me agun e dritës
edhe drita e saj në fundin e tunelit
ia pati lakminë
thonë se pa shkëndijën e saj
nuk ndizen as qirinjtë e dritës
ajo matet me diellin
e prek majat e qiellit
Pa dritën e saj
verbëria merr krahë e tërbohet
Me të shtigjet e errëta
marrin dritë
/www.QendraPress.com/