Fryma poetike e së mërkurës me poetin:Imer HYSA
BIOLOGES
———————–
Për ty vjersha më duhet gjith’ jetë
Gjith’ jetë më duhet çdo fjalë e varg,
Ti don vjershë të gjallë e të vërtetë
Me jetë biologjike dhe ligje të saj.
Ti vjershën e don si qenie të gjallë
Me sisteme organike si të çdo gjallesë,
Se ti e din sa ndikon te e tëra një plagë
Dhe sa rëndësi ka pak përkujdesje.
Për ty gjallesat kanë shpirt e jetë
Kanë habitate, reflekse, logjikë
Jetojnë mes tyre siç duan vetë
Pa ndarje fetare e përkatësi në politikë.
Per ty më duhet të zgjedh çdo fjalë e varg
Fjalën ta skalis e vendos në vendin e saj,
Me duhet e gjallë të ketë limfë e gjak,
Si pemë e gjelbëruar të jetë, nga rrënja në maj.
Më duhet të jetë në krye të zinxhirit poetik
Ta përzgjedh e ta vendos ku duhet çdo fjalë,
Të jetë vjershë e gjallë si organizëm biologjik
Vetëm kështu e di, të kam kënaqur e lënë pa fjalë.
/www.QendraPress.com/