Fryma poetike e të enjtes me poeten;- Majlinda RAMA

Edhe një dashuri e vogël është gjithçka

———————————————————–

Ti më the që i besoje heshtjes më shumë se fjalës,
që vështrimeve u besoje si sytë e ballit
dhe më pe ngulmueshëm,
sikur më ngrite ndër hapësira me atë vështrim të përskuqur
pastaj heshte siç ti dije…
dhe nëpër kohën që na rri pezull në mes
rrokullisje ndonjë dashuri vocërrake
pastaj, ashtu edhe ndonjë fjalë kërthinj të pazonjën as për vete
fjalë që mezi mbahen në këmbë…
e kur afrohem të të mbaj ndër buzë
ti tërhiqesh në zgjuarin tënd prej të urituri narcisit…
ti e di që s’mund të duan të gjithë,
s’mund të duan…
sepse s’munden…
sepse dashuria kërkon ballë të gjerë që valon burrë të madh…

Ti vazhdon të më thuash që heshtjes i zë besë më shumë se fjalës.

Gjethet e dhjetorit s’mund të qëndrojnë në pemë
ato bien
herë mbi duar,
herë mbi koka,
herë bëhen ara me pritje e bien furtuna mbi shpatulla të pamësuara…

Të pash në ëndërr sot…
nganjëherë të njoh,
të njoh,
dhe kur të njoh, të dua gjer në asht,
pastaj, puhiza e ditëve të mbyt, të vë përpara
e ti s’njihesh më,
nuk njihesh,
nëse je furtuna që më shkallmon brinjët
prej zemrës që shpërthen
a je pluhur i sajuar nga histori princërish antikë…

/www.qendrapress.com