Fryma poetike me poeten:-Vlora OBERTINCA

Zgjohu, o Populli Im
—————————–
Sa më vjen keq çdo mëngjes kur hap sytë,
Kur dëgjoj urrejtje që s’ka të ndalur,
Mes njerëzve të popullit tim.
A do të ndaleni ndonjëherë?
A do të kuptoni kur është mjaft?
Paraja vjen e shkon,
Por mëkati mbetet në krah.
Vetëm para, vetëm pushtet…
Kanë harruar njerëzit e mi,
Se kemi vetëm një jetë.
Ku e keni mendjen?
Ku e latë madhështinë?
Ku e humbët besën,
Ku u humbët fisnikërinë?
Ku mbeti lashtësia,
Ku mbeti krenaria,
Ku u shua pellazgu,
Nga tradhtia e lakmia?
Zgjohuni, o popull!
Se jemi pak në këtë botë,
Duajeni njëri-tjetrin —
Se tepër po na mban kjo tokë.
Jemi tri shtete që flasim shqip,
Por s’e kuptojmë dot njëri-tjetrin;
Prandaj kërkojmë nga i huaji ndërmjetësim.
Pse duhet i huaji
Të pajtojë vëlla me vëlla,
Kur kemi të njëjtën nënë,
Të njëjtin baba?
Pozitat, pushteti dhe paraja janë të përkohshme,
Por ajo që u lëmë fëmijëve pas —
Do të jetë e përmotshme.
O populli im,
Lini pas dashuri e mirënjohje,
Se po s’e bëtë,
Do t’ju ndjekë mallkimi deri në varre.
Shpejt kalon jeta,
E një ditë do të preheni në amshim
Prandaj lini gjurmë,
Që të përmendeni për të mirë.
Autore: Dr. sc. Vlora Obertinca
/QendraPress/