Gërvalla nga Kroacia: Lufta është kthyer sërish si kërcënim real në Ballkan

0

                  Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore me theks të veçantë në proceset euroatlantike në rajon si dhe për bashkëpunimin në kuadër të kësaj karte.Gërvalla në fjalën e saj i ka shprehur ngushëllime popullit të Maqedonisë së Veriut për humbjen tragjike të aq shumë jetëve në aksidentin e rëndë.  “Një tragjedi të këtillë e kemi përjetuar edhe ne në Kosovë në aksidentin me autobus që ndodhi në Kroaci dhe nuk do t’i harrojmë asnjëherë pamjet në spital, por as ndihmën e miqve tanë kroatë në atë aksident. Ju lutemi, na tregoni si mund t’ju ndihmojmë, sado ndihmë e madhe a e vogël qoftë”, tha ajo.Tutje, Gërvalla tha se lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin.“Javën e kaluar morëm pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifax të Kanadasë për të alarmuar zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-vë, senatorët, partnerët dhe aleatët e tjerë. Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë. Thjesht kemi pritur tepër gjatë dhe ngritja e mjeteve ushtarake, politike dhe propagandistike ka vazhduar për më shumë se një dekadë. Duhen të merren hapa të guximshëm ndaj atyre që po nxisin destabilizimin e vendeve fqinje këtu në rajon, si Serbia dhe Rusia, pjesërisht Kina, për ta zbutur këtë rrezik të madh”.“Është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë: lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta fjala luftë nuk është përmendur kaq shpesh sa tani. Dhe asnjëherë që nga vitet e 90-ta, udhëheqësia agresive dhe nacionaliste e Serbisë nuk e ka përdorur një gjuhë kaq të ngjashme me atë të përdorur nga Millosheviqi. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta propaganda agresive nacionaliste për audiencën serbe nuk është përgatitur në mënyrë kaq strategjike nga qeveria në Beograd. Duhet t’i shikojmë thjesht përpjekjet e Dodikut, Vuçiqit dhe Putinit në Bosnjë dhe e shihni se copëtimi i shteteve, i iniciuar nga Serbia dhe Rusia, është në tavolinë”, tha më tej Ministrja.  “Ministri aktual Vulin, i cili ka qenë zëdhënës i kriminelit të luftës, Millosheviqit, po e thotë edhe publikisht se duan të krijojnë atë që ata e quajnë Bota Serbe. Vulin tha në muajin korrik që Serbia nuk duhet të heqë dorë nga “bashkimi dhe unifikimi”, që do të thotë të mos heqë dorë nga Serbia e Madhe. Ai tha se ushtria serbe duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë serbët, kudo që jetojnë. Gjoja se demokracitë tona nuk po i mbrokan qytetarët, qofshin ata janë serbë, boshnjakë, shqiptarë, hebrenj, egjiptianë apo të tjerë”. “Të mos e mashtrojmë më veten. Le të ulemi bashkë dhe të flasim rreth fakteve. Le të analizojmë vërtet se çfarë po ndodh në terren. Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për bisedime diplomatike. Le të bisedojmë si evropianë të vërtetë, NATO dhe SHBA me qëllim të evitimit të asaj që mund të ndodhë nëse nuk veprojmë siç duhet dhe me vendosmëri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *