“Greva vazhdon”, “Mësimdhënës të hënën kthehuni në shkollë” – krejt nga përplasja e sotme SBASHK-Nagavci 

Nuk dha rezultat as përfshirja e Avokatit të Popullit që të ulen tensionet mes SBASHK-ut dhe Qeverisë, çka të hënën do të nis edhe java e tretë e grevës në arsim.

Avokati i Popullit përmes një komunikate njoftoi se se ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësuesit e Sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të dalë nga situata e krijuar, por se palët nuk kanë gjetur një konsensus duke mbajtur qëndrimin e njëjtë kur vjen në pyetje lartësia financiare e pakos mbështetëse.

Edhe SBASHK-u e konfirmojë se nuk ka një marrëveshje dhe greva do të vazhdojë, duke akuzuar Qeverinë se nuk ka bërë e nuk po bën asnjë angazhim serioz për realizimin e kërkesave të grevistëve, respektivisht negocimin e tyre, por sipas tyre Qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve.

“Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve janë informuar nga anëtarë të Këshillit Grevist të BSPK-së për dy takimet me Avokatin e popullit, që janë mbajtur me iniciativën e tij, dhe më pas kanë analizuar në detaje shkresën e arritur nga Avokati i popullit. Vlerësimi i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim konkludoi në atë se kjo shkresë nuk solli asgjë të re dhe prandaj greva vazhdon. SBASHK nesër do të përgatis një shkresë duke i dhënë përgjigje shkresës dhe të njëjtën do ta adresojë te Avokati i popullit”, shtohet tutje në njoftim.

Reagoi më pas përmes një statusi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha  se bashkë me zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, janë takuar me Avokatin e Popullit pas ftesës së bërë nga ky i fundit për të biseduar për grevën në arsim.

Nagavci përmes një postimi në Facebook shkruan se si Qeveri kanë pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHK-u dhe të fillojë mësimi, por shton se përmes mediave kanë parë se Sindikata ka dalë me qëndrim se greva vazhdon.

Ministrja thotë SBASHK-u tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete.

“Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave”, thotë ajo.

Ndërsa “lufta” mes SBASHK-ut dhe Qeverisë vazhdon, shumica e nxënësve vazhdojnë të mbesin në shtëpi, përjashto të disa shkollave që kanë filluar mësimit në komuna të caktuara. /Reporteri.net/.