Gruaja që u bë fortesë për vetveten- Nga Natyra Mavraj.

                 Ajo dikur ishte vajza e dikujt. Më pas u bë gruaja e dikujt, nëna e dikujt… dhe sot është një grua që mban mbi shpirt historinë e një jete që nuk e pati kurrë të lehtë.

Brenda saj jeton një forcë e heshtur, e fshehur pas duarve të ngrohta dhe syve të lodhur nga netët pa gjumë. Një grua e skalitur nga dhimbja, nga mungesat, nga zhgënjimet dhe nga betejat që askush nuk i pa e askush nuk i numëroi. Ajo nuk u rrit në rehati. U formua mes sakrificash, heshtjesh dhe plagësh të pathëna. Në një botë që çdo ditë përpiqet të të ndryshojë, ajo luftoi vetëm për të mbetur vetvetja. Sepse e dinte se beteja më e vështirë nuk është të fitosh kundër botës, por të mos humbasësh veten brenda saj. U bë shtylla e heshtur që mbajti gjithçka mbi supe pa kërkuar lavdi apo duartrokitje. Qau në heshtje dhe doli përpara botës me buzëqeshje, sikur dhimbjen të mos e kishte njohur kurrë.

Askush nuk ia ndërtoi forcën. Askush nuk ia ngriti themelet e shpirtit. Ajo e ndërtoi vetë veten — plagë mbi plagë, rrëzim mbi rrëzim.

Ka kaluar nëpër stuhi ku askush nuk i zgjati dorën. Ka njohur lodhjen që të shuan shpirtin dhe heshtjen që të copëton nga brenda. Por prapë u ngrit. Prapë i mblodhi copat e veta dhe vazhdoi përpara. Dhe pas gjithë asaj që kaloi, ajo mbijetoi. Nuk u thye. Nuk u nënshtrua. Nuk lejoi askënd t’ia pushtonte shpirtin.

Ajo nuk është e ftohtë — është e fortë. Nuk është pa ndjenja — thjesht ka mësuar të mos lejojë askënd ta shkatërrojë.

Brenda saj jeton një shpirt që refuzoi të dorëzohej edhe kur jeta u përpoq ta thyente në mijëra copa. Një grua që çdo plagë e ktheu në forcë, çdo rrëzim në mësim dhe çdo stuhi në dëshmi se ende qëndron në këmbë.

Sepse ndonjëherë, fitorja më e madhe e një gruaje është kjo:

Të ruajë vetveten./QendraPress/

                 A