Hajdari: Nuk do të largohemi nga parimi i reciprocitetit tregtar me Serbinë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari ka deklaruar të martën se Qeveria Kurti nuk do të largohet asnjëherë nga çështja e reciprocitetit tregtar me Serbinë, për shkak të parimit të barazisë për fqinjësi të mirë.Këto komente Hajdari i bëri në komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti gjatë raportimit të planit për vitin 2021 të ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.Para anëtarëve të komisionit, ajo tha se së pari duhet të ngritën kapacitetet infrastrukturore për zbatimin e reciprocitetit.“Është mirë t’i ndajmë çështjet bilaterale me çështjet multilaterale. Unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të zbatojmë reciprocitetin. Reciprociteti është parim bazë, i barazisë dhe fqinjësisë të mirë dhe është një për një, si e di unë, që do të thotë qasja e njëjtë nga shteti fqinj, do të jetë edhe qasja jonë, është parim i barazisë. Dhe, ne asnjëherë si qeverisje Kurti, nuk do të largohemi nga parimi i reciprocitetit. Sa i përket Serbisë, është çështje më e ndjeshme, është çështje politike dhe bashkë me kryeministrin do ta zgjidhim zbatimin e masave të reciprocitetit me qasje konstruktive nga qeverisja Kurti, ku së pari jemi për të ngritur kapacitetet infrastrukturore për zbatimin e reciprocitetit”, tha Hajdari.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se Qeveria Kurti ka thyer parimin bazë që kishte dhënë gjatë fushatës, pasi nuk vendosi reciprocitetin me Serbinë.“E keni thyer parimin bazë të asaj që e keni thënë në fushatë ‘është çështje ditësh, muajsh’, dhe kjo nuk po ndodhë”, tha Lekaj.Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja pyeti se çka parasheh Ligji për Konkurrencën.“Çka ka ndodhur saktësisht me atë udhëzim administrativ dhe nëse ka diçka që ka adresuar?”, pyeti Muja.Ministrja Hajdari tha se kanë trashëguar një udhëzim administrativ të jashtëligjshëm, të nënshkruar nga ish-ministri i këtij digasteri, Vesel Krasniqi, e të cilin tha se e kanë dërguar në hetuesi.“Ne kemi trashëguar një udhëzim administrativ të jashtëligjshëm nga ministri Veseli, dhe i cili ka shkaktuar probleme edhe në tregun e brendshëm por edhe lidhur me të gjitha importet që kanë ardhur në Kosovë. Ne po ashtu kemi trashëguar edhe një kontratë të nënshkruar nga ministri Veseli pa pazë ligjore, që parasheh markimin dhe monitorimin e karburanteve të lëngëta të naftës, dhe për këtë arsye, për shkak që kontrata është me klauzolë arbitrazhi, ne nuk kemi mundur ta shfuqizojmë udhëzimin administrativ të jashtëligjshëm komplet, por pjesërisht. Por, në Ligjin e Karburanteve të lëngëta të Naftës, ne do të akomodojmë tërësisht përmirësimin e tregut të naftës në Kosovë. Ne kemi njoftuar organet kompetente për hetim për këtë proces sepse është një veprim i jashtëligjshëm që ka ndodhur në MINT”, u shpreh ajo.Gjatë raportimit në komision, ministrja Hajdari shpalosi prioritet e këtij viti të ministrisë që ajo udhëheq, me ç’rast tha se do të rishikojnë dhe aprovojnë Ligjin për Investime të Huaja, Ligjin për Zonat Ekonomike dhe Ligjin për Investimet Strategjike.Duke folur për investitorët strategjik, ajo ka deklaruar se tek Ligji për Investime strategjike kanë hasur në devijime për shkak të interesave personale ose të qeverisë të kaluar, por për çka shtoi se nuk dëshiron të gjykojë. “Në udhëzimin administrativ të vitit 2018 lidhur me Ligjin për Investime Strategjike janë larguar kriteret të cilat ishin në interes nacional. Në këtë rast, ne jemi në një situatë të palakmueshme si qeveri, duke i trashëguar disa projekte, të cilat janë aprovuar nga ish-komisioni qeveritar për investime strategjike duke proceduar aplikimin e investitorit për aprovim në qeveri, pa u shqyrtuar kriteret që janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, në harmoni me legjislacionin për Ambient. Në këtë rast, më së shumti kemi aplikacione në fushën e energjisë, që parashohin tarifa nxitëse që nuk janë në interes të popullatës tonë. Ne do të iniciojmë, jo më larg se në qershor, politikën për investime, dhe pastaj ligjet do t’i adaptohen politikës dhe kritereve për investime”, tha ajo.Kryetari i komisionit, Ferat Shala, kërkoi nga ministrja Hajdari që të tregojë se çka do të ndodhë me investitorët strategjikë që tashmë janë kualifikuar dhe po presin një përgjigje. Lidhur me këtë, ai i parashtroi disa herë pyetje ministres Hajdari, e cila iu përgjigj se për hapat e mëtejmë po presin opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit.“Nuk më dhatë përgjigje, çka do të ndodhë me investitorët që kanë kaluar KIESA-n dhe MINT, kanë kaluar edhe këshillin ndërministror. Çka do të ndodhë me ndërmarrjet, bizneset, investitorët strategjik, që janë parakualifiku dhe po presin një përgjigje institucionale”, këmbënguli ai.Gjatë prezantimit të planit njëvjeçar të ministrisë që e udhëheq, Hajdari tha se mungojnë politika për investime, politika për eksport si dhe politika për tregti. Teksa shtoi se tashmë ndodhen para inicimit të politikave për ndërmarrësi dhe për tregti.E prioritet të veçantë, ministrja Hajdari tha se i kanë dhënë përmirësimit të klimës së të bërit biznes.Ajo foli edhe për Gjykatën Komerciale, e cila tashmë është në proces, teksa fli edhe për domosdoshmërinë për atasheheve ekonomike në vendet e Evropës. /KP/