Hoxha: Marshi s’është politik por mbështetje për krerët në Hagë, vendimet mund ta prekin të ardhmen e Kosovës
Gjatë fundjavës në Prishtinë do të mbahet marshi për drejtësi në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë, organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Në lidhje më këtë, ideatorja e kësaj platformë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se përgatitjet për këtë marsh kanë filluar dhe se ftesa për pjesëmarrje është e hapur për të gjithë.
Sipas saj ky marsh është pa ngjyrime politike, shoqërore apo religjioze dhe se ky do të jetë vetëm një marsh solidarizimi e mbështetje për ata që janë në Hagë dhe se pjesëmarrja e gjithsecilit është e domosdoshme pasi sipas saj vendimet që do të merren në Hagë mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës. Hoxha ka thënë se janë duke u marr me përgatitje dhe se i falënderon të gjithë përkrahësit që janë duke mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për t’u organizuar. Ajo tha se me këtë marsh nuk e kanë për qellim që të ndikojnë në proces por që me këtë do të tregojnë një dashamirësi dhe një mbështetje morale për krerët që janë duke u gjykuar në Hagë.
Marshi do të mbahet të dielën, më 2 prill, në Prishtinë në ora 14:00 . Marshi do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.