Jep dorëheqje deputetja e VV-së: Kjo qasje e drejtimit, ka rezultuar në pakënaqësi dhe mungesë transparence brenda organizatës
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje – Dega Drenas, Flota Bujupi ka dhënë dorëheqje nga anëtarësia e këtij subjekti politik, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, Bujupi ka thënë se ka marrë këtë vendim pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe shqetësimi të vazhdueshëm lidhur me mënyrën e udhëheqjes së Qendrës së Vetëvendosjes në Drenas nga kryetarja aktuale.
“Pavarësisht angazhimit tim të sinqertë dhe dëshirës për të kontribuar në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, kam hasur në një mospërputhje të thellë vlerash dhe qëndrimesh me drejtimin e dhënë nga udhëheqja e tanishme”, ka thënë Bujupi.
Po ashtu ajo shtoi se “kjo qasje e drejtimit, e cila ka rezultuar në një klimë të pakënaqësisë dhe mungesë transparence brenda organizatës, ka ndikuar drejtpërdrejt në efektivitetin e punës sonë dhe në bashkëpunimin e brendshëm”.
“Për këtë arsye, nuk e shoh të arsyeshme të vazhdoj të jem pjesë e një strukture që nuk përfaqëson më parimet për të cilat kam luftuar dhe jam angazhuar”, shtoi ajo.