Kërkohet heqja e orës policore në Kosovë
Të dielën janë bërë dy javë prej kur Qeveria ka miratuar masat e reja anti-Covid. Atë ditë u shfuqizua vendimi për mbylljen e pjesshme të gastronomisë, mbyllja e qendrave tregtare, fitneseve e shkollave. Por, në fuqi mbeti ora policore. Komunat po kërkojnë që ajo të hiqet, ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë treguar a do të konsiderohet kjo kërkesë. Veçse, sot në mbledhjen e Qeverisë pritet të shqyrtohet propozimi për ndryshim dhe plotësim të vendimit për masa antiCovid. Të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët dalin pas orës 22:30 (përveç në raste urgjente), gjobiten nga policia për mosrepsektim të masave anti-Covid. Kjo pasi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të shtatë ka miratuar vendimin për masat e reja anti-Covid, në mesin e të cilave është edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Komunat e Kosovës, të cilat nuk ishin pajtuar as në kohën kur është marrë ky vendim, po kërkojnë që kufizimi i lëvizjes të hiqet. Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se duhet të rishikohen masat anti-Covid të cilat janë në fuqi.“Ora policore nuk ka treguar ndonjë efekt. Por, pasi edhe lakorja është në rënie e sipër dhe komunat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim duke i mobilizuar shtabet komunale, drejtoritë komunale të shëndetësisë, arsimit dhe inspektorët, ka ardhur koha të rishikohen masat”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai tha se kryetarët e komunave duhet të takohen sërish me ministrin e Shëndetësisë, për të diskutuar rreth situatës aktuale me COVID-19. Ibrahimi deklaroi se vaksinimi i qytetarëve është kërkesa kryesore e kryetarëve të komunave. “Ka ardhur koha që të rishikohen masat. Të takohemi përsëri kryetarët me MSH, ku do të diskutohet rreth situatës aktuale dhe çfarë të bëhet në të ardhmen. Koha, temperaturat janë në ngritje e sipër. Ndërkaq vaksinimi i popullatës është kërkesa kryesore e kryetarëve”, ka deklaruar Ibrahimi. E nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë treguar a do të konsiderohen kërkesat e kryetarëve të komunave. Express të mërkurën ka pyetur MSh-në për masat anti-Covid, e specifikisht për orën policore, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit ku u diskutua për menaxhimin e pandemisë, deklaroi se masat, përfshirë edhe orën policore, kanë pasur efekt në uljen e numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19. Masat e reja anti-Covid janë në fuqi nga data 18 prill. Qeveria e Kosovës sot pritet të shqyrtojë masat e përgjithshme dhe të veçanta për për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Kjo është një prej pikave që figuron te rendi i ditës për mbledhjen e sotme të Qeverisë, dokument ky i publikuar në media. “Shqyrtim i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 01/07 të datës 18.04.2021, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në pikën 2 të rendit të ditës.