Këta janë viktimat e skemës mashtruese rreth 2 milionë euro në Vushtrri nga Jeton Mehmeti (Emrat dhe mbiemrat)

             Gazeta Online Veriu.info raportoi ekskluzivisht për arrestimin e Jeton Mehmetit i coli dyshohet se u përfshi në një skemë mashtrimi në vlerë rreth 2 milionë euro.

Kjo skemë mashtrimi kishte ndodhur me cigaret Trokadero ku i arrestuari dyshohet se iu kishte marrë para avans viktimave për t’iu sjellë cigare, por të cilat nuk ua ka sjellë asnjëherë.

Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet brenda prokurorisë se viktimat e këtij rasti janë: Sami Jonuzi, Jeton Peci, Nazmi Pllana, Ilir Kelmendi, Ismet Zeqiri, Naim Hoxha, Ramush Salihu, Mensur Musa dhe Lavdim Kabashi, të cilët kanë denoncuar të dyshuarin.

Gazeta mëson se viktimat dyshohet se janë mashtruar në vlera të mëdha, disa nga ta me mbi 300 mijë euro.

Emrat e siguruar më lartë nga Veriu.info janë viktima dhe denoncues të rastit, kurse mësohet se ka edhe viktima tjera të cilët nuk e kanë denoncuar të dyshuarin.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale J.M,. me dyshimin se në periudha të ndryshme nga viti 2021 e gjer në muajin korrik 2023, në mënyrë mashtruese ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, dhe dyshohet se vlera e përfitimit është rreth 2 milionë euro. Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Bëhet e ditur se i dyshuari me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh, dhe në afatin e paraparë ligjor Prokuroria Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit./Veriu.info