KFOR: Kemi rritur prezencën në veri, ndërhyjmë në rast të eskalimit të situatës 
KFOR-i ka rritur praninë e tij në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak, si dhe aktivitetet patrulluese në zonë.Në media u raportua se aktivitetet e shtuara të KFOR-it në veri ndërlidhen me dështimin e arritjes së një marrëveshje në rundin e fundit të bisedimeve në Bruksel.Nga KFOR kanë thënë se kanë rritur praninë në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak “për të rritur ndërgjegjësimin për situatën”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.Këto masa, sqarohet, janë marrë për t’i mundësuar KFOR-it të reagojë shpejt ndaj çdo sfide të sigurisë nëse është e nevojshme.KFOR ka përsëritur se janë të gatshëm të ndërhyjnë në rast të përkeqësimit të situatës.“Ne dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë se Kfor është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Tanjugun serb.Aty po ashtu potencohet mandati i Misionit të KFOR-it, i cili buron nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999, është që të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.Pikërisht në kuadër të tensioneve të fundit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg një ditë para dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.Stoltenberg ka kërkuar që problemet të zgjidhen përmes dialogut derisa ka përsëritur se NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.Takimi në Bruksel erdhi pas tensioneve të mëdha rreth dy vendimeve të reja të qeverisë së Kosovës për reciprocitet për letra të udhëtimit si dhe ndalimin e targave ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe për veturat e serbëve në Kosovë. /Reporteri.net