Kongresi Kombëtar i Arsimit në Shqipëri, Rama: Gjuha shqipe e rrezikuar

                             Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka hedhur sot idenë që gjuha shqipe të mësohet në çdo nivel të arsimimit. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Rama në Kongresin Kombëtar të Arsimit ndërsa theksoi se gjuha shqipe është e kërcënuar të humbë. Sipas tij, përpjekja për gjuhën duhet të jetë përpjekje e gjithëanshme. Abetarja e përbashkët është një lajm i mirë edhe për bashkëpunimin mes vendeve, përveç faktit që fëmijët do kenë mundësi të mësojnë shqip kudo ku flitet gjuha jonë amtare. Duke e konsideruar arsimin ai armën arma më të fortë të rezistencës dhe përparimit të kombit, Rama apeloi për gjetjen e mënyrave që forcojnë pozicionin e gjuhës në kaosin gjuhësor dhe komunikativ. “Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një qëllim kemi, përparimi i kombit shqiptar. Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull, një gur themeli që u fokusua tek gjuha, më pas tek arsimi si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një Kongres më modest nga pesha e Kongresit të Manastirit, po në thelb ka të njëjtin shqetësim përparimin e kombit shqiptar”, tha ai. “Mësimi i shqipes dhe arsimi i popullit ishte për delegatët e Kongresit të Manastirit mjeti më i fuqishëm, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit”, tha Rama.

“Nga se mund ta mbrojmë gjuhën shqipe? Përgjigjja është thjeshtë, mjafton që të harxhoni një orë për të lundruar në kanalet e informacionit për të parë se ç’ndodh me gjuhën shqipe me shenjat e pikësimit, me formulimin e strukturës së fjalive dhe ortografinë në tërësi. Gjuha është më e rrezikuara, dhe kjo i ndodh të gjitha gjuhëve që janë nën këtë presion të madh ku shpejtësia për komunikim bëhet marramendëse. Të kërkojmë rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne thellësisht të përfshirë dhe na takon”, shtoi kryeministri. Rama apeloi për bashkimin e të gjitha mendjeve përtej Shqipërisë në vendet ku flitet shqip, por edhe përhapja e saj në të gjithë diasporës. “Të bashkojmë mendjet tona përtej Shqipërisë në ato vende ku flitet shqip, ky bashkim mendjesh të na japë më shumë të kuptojmë për të nesërmen. Kërcënimi ndaj gjuhës është sot një kërcënim më i madh se asnjëherë dhe çdo ditë që kalon e rrit këtë kërcënim dhe forcat që e kërcënojnë janë të atilla që nga përmasat dhe presioni duken të pathyeshme. Është lajm i mirë abetarja e unifikuar që do të bëjmë çmos të shtrihet dhe në vende të tjera se RMV e ka miratuar në parim. Po diskutojmë me Kosovën për përhapjen e gjuhës në të gjithë diasporën”. Kryeministri njoftoi se kanë hyrë në rrugën e jetësimit enciklopedia shqiptare, fjalori dhe libri themelor i historisë së shqiptarëve, të cilët tashmë sipas tij janë një boshllëk i madh për arsimin. “Enciklopedia shqiptare, fjalori dhe libri themelor i historisë së shqiptarëve kanë hyrë në rrugën e jetësimit të tyre. Sot është shtruar rruga për t’i pasur këta libra themelorë për kombin tonë dhe botën akademike dhe brezat e tjerë. Janë libra të hapur që çdo gjeneratë i pasuron dhe përmirëson por sot janë mungesa të mëdha në këtë rrugë ku përpjekja për gjuhën duhet të jetë e gjithanshme. Është koha për ta diskutuar futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel dhe të dimë sa të aftë janë për të folur anglishten, por është realisht një mangësi që nuk kemi një sistem për gjuhën tonë amtare”. /Telegrafi/