Krijimi i një gjykate të punës, shumë i nevojshëm

                          Kosova së shpejti mund të bëhet me një gjykatë të re për çështjet administrative dhe të punës. Sindikalistë vlerësojnë se duhet krijuar një gjykate që do të merrej me lëndët e punës dhe kjo do të mundë të ndikonte pozitivisht te punëtorët. Njohës të sistemit të drejtësisë po ashtu thonë se një gjykatë e tillë mund të japë efekte pozitive.Pas themelimit të Gjykatës Komerciale, e cila shpejt mund të fillojë punën, sistemit të drejtësisë në Kosovë mund t’i shtohet edhe Gjykata Administrative dhe e Punës. Krijimi i saj është paralajmëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ndërkohë, një grup ekspertësh ka filluar punën për hartimin e koncept-dokumentit për këtë gjykatë.Krijimi i Gjykatës së Punës, është kërkuar prej vitesh nga sindikatat. Marrë parasysh shkeljet e të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin privat, krijimi i Gjykatës së Punës është më se i nevojshëm, thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.“Gjykata e Punës është jashtëzakonisht shumë e nevojshme, pasi ne kemi me mijëra lëndë të cilat dërgohen në gjykata nga punëtorët të cilët nuk mund të merren vesh me punëdhënësit. Trajtimi i lëndëve zgjatë shumë, mesatarisht duhet pritur 4-5 vjet”, tha ai.Përkundër nevojës, Azemi shprehet skeptik për sa i përket themelimit të shpejtë të Gjykatës.“Ashtu si qeveritë e më hershme, edhe kjo qeveri premtoi se do ta bëjë këtë gjykatë, por ta them të drejtën, bazuar në atë që është realizuar për punëtorët deri tash, unë mendoj edhe kjo do të jetë një e thënë dhe e lënë aty ku thuhet. Pra, nuk po shpresoj se do të bëhet së shpejti Gjykata e Punës”, tha sindikalisti Azemi.Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se krijimi i një gjykate që do të merrej vetëm me lëndët e punës mund të ketë ndikime pozitive për qytetarët, nëse aty ka kuadro profesionale.“Problemi me gjykatat e Kosovës është mungesa e efikasitetit dhe profesionalizmit. Në këtë drejtim, nuk do të bënte dëm themelimi i një mekanizmi të tillë, por siç e kemi thënë edhe për Gjykatën komerciale, për të pasur sukses, varet se sa gjyqtarët do të jenë efikas, të trajnuar dhe të specializuar për t’i kryer detyrat dhe obligimet e tyre në raport me kërkesat që u vijnë nga palët”, tha ai.Krijimi i një gjykate të punës është kërkuar e premtuar edhe në të kaluarën. Themelimi i saj po ashtu ishte premtim elektoral edhe i Lëvizjes Vetëvendosej, partisë që udhëheq  me ekzekutivin./RTKLIVE/