Kritikë letrare-Nga Fatmir Minguli  për librin “Vajza që kalëroi diellin” të autores Migel Flor.

           Heshtja- komplementar i filozofisë në librin e një poeteje

(Shënime kritike për librin “Vajza që kalëroi diellin” e Migel Flor, ada, Tiranë, 2025)

Në librin “Vajza që kalëroi diellin” poezitë e autores Migel Flor janë një mozaik plot ngjyra, mozaikë ideshë, përplasjesh me jetën, ndeshje filozofishë të ndryshme dhe pasqyrime të dashurisë njerëzore dhe bukurive të natyrës shqiptare. Poezitë janë një guxim i veçantë, një guxim që ndërtohet jo vetëm me figurat artistike, por më shumë me konceptet e kontradiktave të jetës. Përmes lirisë personale, rilindjes shpirtërore, shpalosjes së negativiteteve të shoqërisë sonë, ajo ka të drejtë të kalërojë diellin kreativ dhe projektuar me dritën e tij të vërtetat ngadhënjyese. Kështu libri “Vajza që kalëroi diellin” është në fakt një rrugëtim eksperiencash vetjake ku poetja ka ditur që përmes filozofive të meditojë mbi gjetjen e forcës brenda vetes. Prandaj poetja Migel Flor që në fillim na jep metaforën e Bing- Bengut të saj personal dhe e mban diellin pranë vetes duke u bërë një trup me të, pasojë e një lindjeje të plotë drite dhe flake diturie. Kurajo që poetja ka në goditjen e të keqes pasqyrohet herë në “ruazat e humbura” të largimit të miqve, herë në “Një këngë për zemrën time” ku shfaqet si një Zhan d’Ark e ditëve tona. Por ajo nëpërmjet forcave zhbiruese me dritë e me flakë shikon dhe nevojën e një heshtje të cilën e klasifikon në kategori filozofike. Ajo ka veti empatike, njohëse e thellë e botës së njerëzve dhe me të drejtë shkruan se “Sytë janë drita- pamja vetëm çelësi” duke aluduar me ata që heshtin. Libri “Vajza që kalëroi diellin” është një varg konceptesh për heshtjen dhe njerëzve që njohin vlerat e heshtjes. Poetja Migel Flor është në vazhdën e trajtimeve që i kanë bërë heshtjes Nënë Tereza, Ana Pavllovna Bllavatskij, Edgar Allan Poe, etj, natyrisht sipas filozofisë të secilit. Heshtja në poezinë e Migel Flor nuk është paqe, pushim lufte apo përpjekjesh por ajo duke e futur heshtjen në raportin dritë- errësisë e zbëthen aq saktë si rrallë poetë. Për poeten “ ç,do sy i tyre që heshtin, është një det i fshehtë” dhe ku heshtja nuk është fshehje. Edhe fjalët kyce të përdorura shpesh në këto poezi si vjeshta, ëndrra, errësira, janë shpjegues metaforikë të heshtjes. Kësisoj libri poetik “Vajza që kalëroi diellin” kthehet në një leksikon për jetën, shprehur me fantazi ku filozofia është empatia e saj për t’u intersektuar me të tjerët, me të mirë e me të këqinj, një empati e heshtur por fitimtare. Në këtë libër ndeshesh me dy forma paraqitëse të poezive të saj, që unë i klasifikoj si një lloj heshtje të autores, që nuk i reklamon me bujë. E para është kalimi i shpeshtë i poezisë në prozë poetike. Një kalim jo vetëm i heshtur por tejet i këndshëm. Ky kalim e çon lexuesin në horizonte të hapura, pa re të zeza të dyshimit apo të xhelozisë, një kalim origjinal. E dyta formë është paraqitja e versioneve të ndryshme, të vazhdueshme që në fund të fundit pasqyrojnë forcën e shpërthimeve shpirtërore, që janë anamneza e artit të kësaj poeteje. Edhe fenomeni i heshtjes kthehet në një grupim metamorfozash ku portreti i heshtjes është njeri më ndryshe nga tjetri. Jam plotësisht përsa poetja shkruan se “Filozofët nuk donin ta shpjegonin botën, ata donin ta ndriçonin”. Ky është dhe mesazhi i poezisë emblemë “Vajza që kalëroi diellin”, një mesazh plot domethënie, herë të drejtë përdrejta e herë disi të fshehura ku bën pjesë edhe magjia e heshtjes. Por Ajo no vetem qe kaleroi diellin, por sic thote poeti Ibrahim Ibrahim Didani Ajo kaleroi dhe poezine.

Durrës 23 prill 2026/QendraPress/