Kryetari i OVL-UÇK – Prizren -Isa Berisha,me reagim publik  ndaj vendimit gjyqësor për kriminelin e luftës, Milosh Pleskoviç

Reagim Publik ndaj vendimit gjyqësor për kriminelin e luftës, Miloš Plesković

Të nderuar qytetarë të Prizrenit,

Të nderuar familjarë të viktimave,

Së pari, më lejoni që në emrin tim dhe të gjithë pjesëtarëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega në Prizren – t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për më të dashurit tuaj që i keni humbur gjatë luftës së vitit 1998.

Më 1 shtator të atij viti, forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmorën një ofensivë të gjerë në rajonin e Vërrinit, me qëllim për të shtypur rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ofensivë nuk kurseu as zonat e banuara, ku u goditën brutalisht edhe lagjet e qytetit të Prizrenit, si: Tusuz, Hoça Mahalla, dhe Bilibildere .

Në këto sulme, forcat serbe nuk kursyen as civilët e paarmatosur e të pafajshëm. Vranë, dogjën, arrestuan dhe torturuan barbarisht banorë shqiptarë, pa bërë dallim moshe apo gjinie. Ndër viktimat e kësaj dhune ishin edhe tre civilë shqiptarë të lagjes Bilibildere :

Reshat Daçaj

Binak Daçaj

Fatmir Bojaxhiu

Ata u vranë mizorisht nga njësitë paramilitare serbe, pjesë e të cilave ishte edhe krimineli Miloš Plesković, bashkë me grupin e tij të armatosur.

Ky reagim bëhet si shprehje e protestës sime të thellë dhe e gjithë shoqërisë sonë ndaj vendimit të papranueshëm të gjykatës, e cila e dënoi Plesković-in vetëm me 15 vite burg, duke u mbështetur në Kodin Penal të ish-Jugosllavisë – një padrejtësi e madhe për viktimat dhe familjarët e tyre.

Si ish-ushtar i UÇK-së në rajonin e Prizrenit dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje tragjike, ndjej detyrim moral dhe kombëtar të flas. Me arrestimin e këtij krimineli, kishim shpresuar se drejtësia do të vihej në vend. Fatkeqësisht, ky vendim i fundit – dhe shumë të ngjashëm – po na e zbehin besimin në drejtësinë tonë.

Nuk është e pranueshme që kriminelët e vërtetë të luftës të marrin dënime minimale, ndërsa ish-ushtarët dhe komandantët e UÇK-së po përballen me gjykime të padrejta, shpesh pa asnjë provë konkrete – e megjithatë me dënime të rënda. Mjafton një pretendim për një shuplakë, dhe ushtarët tanë dënohen me 5 vite burg e më shumë, ndërkohë që krimet makabre ndaj popullit tonë trajtohen me lehtësi të pashpjegueshme.

Prandaj, i bëj thirrje trupit gjykues dhe të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë:

Të rishqyrtojnë rastin e Miloš Plesković-it,

Dhe t’i japin një dënim të merituar për krimet e kryera ndaj civilëve të pafajshëm.

Kërkojmë drejtësi të barabartë. Kërkojmë që kriminelët të përgjigjen për veprat e tyre siç e meriton ligji dhe ndërgjegjja njerëzore.

Me nderime dhe respekt,

Kryetari i OVL-UÇK – Prizren Isa Berisha/QendraPress/