KUR PAKUJDESIA I LË FËMIJĒT VETĒM/Shkruan:Kumrie Avdyl SHALA

Moskujdesi mund të sjellë pasoja të rënda dhe të padëshiruara për prindërit, mësuesit dhe mbi të gjitha për fëmijët. Në jetën e përditshme, nxitimi, lodhja apo pakujdesia na bëjnë shpesh të harrojmë gjënë më të shtrenjtë që kemi: fëmijët tanë.

Ky rrëfim është një kujtesë e dhimbshme, por e domosdoshme. Një ngjarje e vërtetë, që duhet të shërbejë si thirrje ndërgjegjësimi për çdo prind dhe çdo mësues, sepse përgjegjësia ndaj fëmijëve nuk është thjesht detyrë, është mision dhe dashuri.

Posa u ktheva nga puna e dytë, parkova makinën. Për një çast, në pasqyrën anësore pashë një fëmijë me çantë në shpinë që vraponte lart e poshtë trotuarit. Zbrita nga makina dhe fillova ta vëzhgoja. Ai sorollatej herë andej, herë këtej, i shqetësuar. M’u rrëqeth trupi dhe mendja më shkoi menjëherë te fëmijët e vëllezërve dhe motrave të mia.

U afrova ngadalë, pa e frikësuar, dhe i thashë me butësi:

O çun, eja pak këtu, të pyes diçka.

Erdhi ngadalë, i trembur.

He, çka po don? më tha.

Mos ki frikë, o yll, i thashë. Më thuaj pse po bredh kështu lart e poshtë?

Ishte rreth 8–9 vjeç. Sytë iu mbushën me lot.

Po pres mamin, më tha me zë të dridhur. Po u ba terr…

Ia përkëdhela flokët dhe e afrova pranë vetes. E pyeta nëse kishte ndonjë numër telefoni të prindërve, por më tha se nuk kishte dhe as nuk dinte asgjë përmendësh. E pyeta për prindërit, për punën e tyre, për shtëpinë. Shokët e tij kishin ikur të gjithë. Ai kishte mbetur vetëm pas përfundimit të mësimit.

Për një çast mendova të thërrisja policinë, por vendosa të prisnim edhe pak bashkë. Kaluan rreth dhjetë minuta dhe askush nuk erdhi.

U përpoqa ta qetësoja, ia hoqa frikën dhe madje arrita ta bëja edhe të qeshë.

Ua, ti qenke futbollist si Vokrri! i thashë.

Kush është Vokrri? më pyeti.

Futbollisti më i madh që ka pasur Kosova.

Jo, unë jam si Messi! ma ktheu me krenari.

Ua, sa bukur! Të lumtë o boss! i thashë duke qeshur.

Filloi të errësohej.

Nëse të çoj unë në shtëpi, e di rrugën? e pyeta.

Po, e di, tha.

Edhe pse isha shumë e lodhur nga puna dhe nëna ime e moshuar më priste vetëm në shtëpi, nuk munda ta lija fëmijën vetëm.

Futu në makinë, të çoj unë, i thashë.

Gjatë rrugës mendoja me vete: Nuk janë vetëm fëmijët që humbin, por edhe prindërit që harrojnë.

Kur u afruam, ai u gëzua:

Ajo me dy drita në ballkon është shtëpia ime!

E çova deri në oborr. I thashë të thërriste mamin që të flisja pak me të. Doli fillimisht një vajzë rreth 14 vjeç, pastaj doli edhe gruaja. Nuk dukej aspak e shqetësuar.

Djali juaj kishte mbetur vetëm te shkolla, i thashë. Askush nuk erdhi ta merrte, ndaj e solla unë.

Cila mësuese jeni? më pyeti.

Nuk jam mësuese, zonjë. Jam qytetare. Rastësisht e pashë djalin tuaj të frikësuar.

Burri kishte me shku me marrë, po koka vonuar, tha ajo qetësisht.

Më hipi gjaku në kokë. Sa pak kujdes!

E thash më vete. Mos e lini më fëmijën vetëm, i thashë. Është i vogël, rrugët janë të rrezikshme.

Mos u bëj merak, ky s’tutet, ma ktheu ajo me një buzëqeshje të ftohtë.

U largova me zemër të rëndë.

Kur mbërrita në shtëpi, nëna ime e moshuar, 85 vjeçe, që jetonte vetëm më mua më priste çdo mbrëmje me ankth më doli në derë.

Eh moj bijë, pse u vonove? më tha e shqetësuar.

E përqafova fort dhe i tregova gjithë ngjarjen. Ajo u përlot.

Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë, moj bijë, më tha me lot në sy. Ke bërë një sevap të madh.

Më puthi duart dhe më shtrëngoi pranë vetes.

Unë u frikësova për ty, edhe pse je e rritur, më tha. E ajo nënë nuk u shqetësua për fëmijën e vet te vogël… Eh moj bijë, është prishur dynjaja. Është zhdukur dhembja e nënës për fëmijën…

E putha nënën dhe i thashë:

Do hamë darkë bashkë? Jo, unë dua vetëm një kafe, më tha. Ti ha, bija ime, të ruajtë Zoti.

Atë natë mendova gjatë. Të jesh prind është përgjegjësi e madhe. Nuk mjafton ta sjellësh fëmijën në jetë; duhet ta mbrosh, ta ndjesh dhe të kujdesesh për të çdo ditë. Kujtimi i sakrificës së nënës dhe babait tim më forcoi edhe më shumë këtë bindje.

Mos i lini fëmijët vetëm. As për një çast.

Kujdesuni për ta me dashuri, sepse dashuria e prindit është e shenjtë dhe gjithmonë kthehet mbrapsht.

Kjo është një ngjarje e vërtetë. Një thirrje njerëzore dhe shpirtërore për çdo prind dhe çdo mësues: kujdesi për fëmijët dhe nxënësit nuk është thjesht detyrë, por është obligim moral dhe dashuri e shenjtë.

SHËNIM PËR LEXUESIN

Kjo që keni lexuar është një ngjarje e vërtetë, e ndodhur në përditshmëri. Nuk është trillim, as tregim artistik. U publikua me qëllimin e vetëm për të përcjellë një mesazh ndërgjegjësimi për prindërit dhe mësuesit: fëmijët nuk janë përgjegjësi vetëm në letër, por obligim moral, njerëzor dhe shpirtëror.

KY ËSHTË NJËMESAZH I DREJTPËRDREJTË,për ju :

Prindër dhe mësues,

mos i lini fëmijët vetëm.

As pas mësimit. As në pritje. As në errësirë.

Kujdesi për fëmijën dhe nxënësin nuk është thjesht detyrë , është përgjegjësi,mision i shenjtë. Një minutë pakujdesi mund të lëndojë një jetë të tërlë .