Kurti: Forumin e Bledit e përmbyllëm me shumë besim për të ardhmen e ndritur të Republikës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmbledhur aktivitetet që i zhvilloi gjatë pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni. Kurti ka thënë se ky Forum ishte vazhdimësi e punimeve që përshkuan samitin e javës së kaluar në Athinë, ku kryeministri kosovar shkoi me ftesë të homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis.Shefi i ekzekutivit kosovar ka përmendur mesazhet që përçoi në panelin e diskutimit me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor, ku ndër të tjera tha se i tërë rajoni duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, transmeton gazeta online Reporteri.net.Ky mesazh i tij përkon me deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili tha se BE po kërkon që të zgjerohet.Kryeministri është shprehur se pjesëmarrja e tij në Forumin e Bledit u përmbyll me shpresa të mëdha për të ardhmen e Republikës së Kosovës.“Me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tonë”, shkroi ndër të tjera kryeministri Kurti. /Reporteri.net/