Kurti: Me çdo veprim dënojmë gjenocidin serb në Kosovë 

                        Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe për të gjithë të zhdukurit me dhunë, transmeton “Reporteri.net”.Kurti bëri thirrje ndaj faktorit ndërkombëtar të bëjë trysni ndaj Beogradit që të hapen arkivat dhe të zbarther fati i të pagjeturve në Kosovës.Përveç Beogradit, kryeministri u bëri thirrje edhe të gjithë atyre që mund të dinë diçka për fatin e të pagjeturve, që të flasin. “Ne e dënojmë për çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë”.“E një ndër shprehjet më të egra, më të dhimbshme, që na ka shkaktuar shumë vuajtje humbje e ankth të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, janë edhe të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, që vazhdojnë të ngelen një plagë e hapur për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë”, tha Kryeministri Albin Kurti.“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë, që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve, dhe njëkohësisht me faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni, që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë”.“Përveçse duhet te hapen arkivat, në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre, të cilët i vranë, i varrosën, i zhvarrosën, i dërguan në Serbi, i varrosën atje dhe më pas u zhvarrosën nëpër ato pesë varreza masive, që mbase ka edhe më shumë se aq”.950 shqiptarë, rikujtoi Kryeministri, janë zhvarrosur prej Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit. “Domethënë këto janë ato pesë varrezat të mëdha masive, prej ku u zhvarrosën njerëzit e me siguri që ka edhe të tjerë”.“Në mesin e këtyre 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe që nuk janë shqiptarë. Shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë dhe ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie”, tha ai.