Kurti: Putini po e përmend një herë në javë Kosovën, Ballkani Perëndimor i rrezikuar

                           Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në një konferencë për media tha se nuk përjashtohet rreziku që konflikti i Ukrainës të zgjerohet edhe në vende të tjera, duke mos përjashtuar as shtetet e Ballkanit Perëndimor.Kurti tha se Kosova ka ndërtuar aleanca të pandashme me Perëndimin, SHBA-në dhe NATO-n.“Në të kaluarën presidenti rus [Vladimir] Putin na ka përmend njëherë në muaj, tash po na përmend një herë një jave si Kosovë, duke tërheq paralele të paqena me Krimenë në Ukrainë. Pra, ai i cili kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, dëshiron ta keqpërdorë rastin e Kosovës për ta ushtruar hegjemoninë e vetë”, theksoi Kurti.Kurti më tej tha në Ballkanin Përendimor veçse është duke u përballur me një luftë hibride.“Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar. Populli ynë është bashkë dhe aleanca jonë me BE-në, SHBA-në e NATO-n është e pashkëputshme. Përshtypja ime është që Putin dëshiron të ulet në tryezën e negociatave, jo me Zelenskyn, por me Bidenin”.“Për këtë qëllim të tij, unë kam drojën që do ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë, por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër, sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë. Ballkani Perëndimor është në rrezik, meqenëse edhe këtu veçse po bëhet lufta hibride. ‘Sputnik’ e ka qendrën në Beograd ndërsa në Nish ndodhet Qendra Humanitare ruse e cila është mbushur me plotë agjentë rusë”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.Ai ka thënë që është shokuar nga pamjet në Ukrainë, të cilat ia kujtojnë vuajtjet gjatë luftës në Kosovë.“Ne e kemi dënuar invazionin rus dhe agresionin ushtarak që nga dita e parë kur ai ka ndodhur dhe kemi shprehur admirimin dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe me luftën çlirimtare që po e bëjnë burrat dhe gratë aty, në krye me presidentin Zelensky”.“Nuk ka dyshim që autokracia e cila zhvillonte luftë hibride e udhëhequr nga Kremlini, është shndërruar në despotizëm që bën luftë duke e shkelur çdo normë ndërkombëtare e njerëzore. Në të njëjtën kohë, pa qenë e provokuar dhe në mënyrë të pajustifikueshme sulmon një komb dhe një shtet tjetër. Ne jemi shokuar nga pamjet në Ukrainë sepse na kujtojnë vuajtjen tonë para 23 – 24 vitesh, kur poashtu për çdo ditë në Kosovë kishim masakra nga policia dhe ushtria e Millosheviqit”.Nga ana tjetër, duke ju referuar ndonjë rreziku eventual, kancelari i austriak, Karl Nehammer, tha se Kosova si dhe rajoni duhet ta dinë se nuk janë vetëm në rast të ndonjë kërcënimi.“Është e rëndësishme që Bosnja e Hercegovina edhe Kosova ta dinë se nuk janë vetëm, prandaj nëse ka kërcënime të dihet të reagohet shpejtë, këto nuk janë vetëm fjalë”, tha ai.Mes tjerash, kancelari Nehammer, tha se me kryeministrin Kurti, ka biseduar për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian.“Është e rëndësishme që të definohen dhe diskutohen problemet dhe të gjendet një zgjidhje. Këtu politika e Austrisë sikurse e Gjermanisë është një katalizator i mirë për të gjetur zgjidhje të përbashkët” tha ai.Kurti gjithashtu tha se ata që mund të tentojnë të nxisin tensione më 3 prill në Kosovë, datë kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë, nuk do të kenë sukses.Ai ka konfirmuar se janë në kontakte të vazhdueshme me ambasadat e vendeve të QUINT-it, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe shtoi se beson që nuk do të ketë probleme të dielën e 3 prillit. /Telegrafi/