Kush është NjSI, njësia më elitare e Policisë së Kosovës që protestuan sot para Qeverisë

                             Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë. Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre. Njësia Speciale Intervenuese fillimisht  bojkotuan njërën prej festave shtetërore që organizohet tradicionalisht nga institucionet kosovare. Në shenjë bojkoti për trajtim jo të dinjitetshëm e mos përmbushje të kërkesave të tyre, ata nuk morën  pjesë në “Darkën e Lamës” të organizuar  nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicën e Jugut. Disa nga pjesëtarët që ishin edhe pjesë e aksionit policor në Banjskë, nuk kishin pranuar që të ulen në tavolinën e “Darkës së Lamës” që u shtrua më 18 tetor 2023. Njësia Speciale Intervenuese hynë në kategorinë e njësive elite të Policisë së Kosovës. U themelua në vitin 2007 ndërsa morën pjesë në operacione të shumta të cilat u shënuan përgjatë këtyre viteve që nga themelimi i saj, duke nisur nga ajo e fundit, sulmi terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit. Një tjetër ngjarje të cilën e udhëhoqi FIT-i ishte edhe arrestimet që ndodhën në veri të vendit në muajt e fundit. Ndër to ishte edhe arrestimi i Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”. Njësia FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në vitin 2018. Policia e Kosovës ka disa njësi speciale, duke filluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, Njësia Speciale Operative dhe të tjera, por njësia kulmore edhe brenda Specialëve është pikërisht NjSI-ja. Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), kryen operacionet e sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballohen shërbimet e tjera të policisë. Kujtojmë se sipas propozimit të Qeverisë së Kosovës me të cilin policët  e kësaj njësie elitare nuk po pajtohen, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë. /Reporteri.net/