Latifi kujton Epopenë e Fortesës: Ideali i lirisë është i pavdekshëm.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Fortesës, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë së Rahovecit dhe të luftës për liri.
Në një reagim publik, Latifi ka theksuar se në betejën e 18 korrikut ranë dëshmorët Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, ndërsa luftimet zgjatën rreth 30 orë, gjatë të cilave luftëtarët e UÇK-së ndalën depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe drejt Rahovecit.
“Ideali i lirisë është i pavdekshëm! Epopeja e Fortesës zë një vend të veçantë në historinë e lavdishme të Rahovecit. 28 vjet më parë, në këtë vend u shkrua një kapitull krenarie dhe qëndrese ndaj pushtuesit serb që kishte vërshuar drejt qytetit tonë”, ka shkruar Latifi.
Ai ka kujtuar gjithashtu se gjatë asaj beteje u plagosën rëndë Isuf Gashi dhe Halim Kelmendi, ndërsa edhe vetë ai mbeti i plagosur. Sipas Latifit, nga forcat serbe u kapën rob edhe bashkëluftëtarët Vehbi Muharremi, Isak Hoti, Sokol Morina dhe Nesret Hoti.
“Në Fortesë, luftëtarët e UÇK-së qëndruan për 30 orë, duke ndalur depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec. Përballë një armiku të egër, luftëtarët e UÇK-së treguan vendosmëri dhe sakrificë mbinjerëzore. Rezistenca e atyre ditëve dhe mbështetja e popullit tonë janë dëshmi e krenarisë kombëtare”, ka theksuar ai.
Në fund të mesazhit, Latifi ka nderuar dëshmorët e rënë në Betejën e Fortesës, duke shkruar: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës! Përulemi para veprës së tyre madhështore e të pavdekshme!”