“Liria ka emër” organizon Marsh për drejtësi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizon Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re. “Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Eliza Hoxha.Më tej, ajo ka shtuar se duke qenë plotësisht koshient se drejtësia si parim, është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.“Gjithsesi, duhet të jemi edhe koshient, se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare, është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe ne, nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill, ju ftojmë për një Marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, ka thënë Hoxha.Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh – është e vërteta e Kosovës.“Megjithatë, përbrenda vetë nesh, e kemi për obligim që të vërtetën historike e dinjitetin tonë kombëtar ta mbrojmë me përkushtim dhe pikërisht për këtë qëllim”, ka thënë Tasholli.Me këtë rast, Tasholli ka ftuar të gjitha grupet shoqërore që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në këtë Marsh, sepse kështu manifestojmë krenarinë dhe bindjet tona të palëkundura për drejtësinë që duhet të triumfojë ashtu siç ajo duhet të përputhet me të vërtetën e Epokës së lavdishme të UҪK-së.“Siç kemi ditur të ecim me hapa drejt Evropës dhe botës së qytetëruar perëndimore, ashtu siç edhe kemi ditur të bashkëpunojmë e të jemi të hapur për drejtësi, ngjashëm dimë dhe duhet të tregojmë kulturën tonë qytetarë në solidarizim dhe mbrojtje të vlerave tona historike”, ka thënë Tasholli.Liria dhe pavarësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e pashembullt të luftëtarëve të lirisë, por edhe mbi sakrificën e popullsisë civile që gjatë viteve 1998-1999, ishte subjekt i një gjenocidi shtetëror të organizuar nga regjimi i Millosheviqit.Eliza Hoxha tha se ne nuk mund t’i harrojmë skemat e krimeve të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat kanë qenë prezente kudo nëpër Kosovë dhe janë ushtruar brutalisht ndaj burrave, grave, pleqve, të rinjve, të rejave dhe fëmijëve. “Kjo sakrificë në mes tjerash kuptohet përmes mbi 11 mijë viktimave civile, mes të cilëve 1.133 fëmijë, në mijëra të zhdukur, prej të cilëve, mbi 1600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, në dhunimin e rreth 20 mijë viktimave të dhunës seksuale, me fokus gratë dhe vajzat, spastrimin etnik, shpërngulje të dhunshme nga shtëpitë dhe nga Kosova të mbi 1 milion shqiptarëve. Dhe, në vend se të kishim llogaridhënie për këto krime të rënda në përmasa gjenocidi, kriminelët nga mesi i paramilitarëve, policëve, ushtarëve dhe ushtarakëve serbë, në shumësi janë amnistuar apo nuk kanë dalë para përgjegjësisë”, ka përfunduar Hoxha.Marshi solidarizues për drejtësi dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.