“Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së” – Kurti dhe liderët politikë kujtojnë Luan Haradinajn në 27 vjetorin e rënies së tij

Liderët politikë e institucional të Kosovës, kanë kujtuar heroin Luan Haradinajn në 27 vjetorin e rënies së tij.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij, Luan Haradinaj e kishte kaluar shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Atë ditë, ai po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit. Data ishte 6 maj 1997, ditë e martë. Në grupin që po i printe Luani, ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën”, ka shkruar Kurti.