Luftëtari i lirisë:-Unë po i mbyllë sytë biri imë./ Nga Prof.Skender Morina
Jo për t’u zgjuar nesër në mëngjes e për të përkëdhelur, por po largohem nga kjo botë nga plagët e marra për të parë vendin tonë të lirë, të begatë e të bashkuar.
Unë s’do të jem por shteti, kombi dhe atdheu ynë do të jetë babai,prindi yt që do të kujdeset për Ty.
Do të kesh shkollë dinjitoze ku do të marrësh dije, dije kjo që s’do të vras vetëm një armik por të gjithë armiqtë e botës, dhe do të miqësojë me të gjithë miqtë e botës liridashëse që lirinë e kanë mbi çdo vlerë.
Shëndetin do t’a kesh të siguruar sepse do të kesh spitale ku jeta jote do të ketë më shumë vlerë se çdo para e botës sepse prindi yt edhe pikën e fundit të gjakut e dha për këtë tokë që nesër ju bijtë tanë të jeni të shëndoshë e të sigurt.
Mos ke frikë biri imë nga policitë e ushtritë e huaja sepse ato s’do të shkelin më në tokën tonë sepse kurban i themeleve të shtetit tonë u bëmë ne, e policia dhe ushtria e shtetit tonë do të mbrojë Ty,familjen dhe shtëpinë tënde biri imë.
Edhe kur një ditë të plakesh do kujtohesh për këto fjalë të cilat si amanet ua lamë shokëve tanë t’i bëjnë realitet për ju fëmijët tanë që vet s’mundëm të u rrisnim jo s’e s’donim por sepse gjaku dhe jeta jonë kërkohej kurban për atdheun e kombin, e ne e kryem detyrën dhe amanetin dhënë tokës, kombit atdheut e paraardhësve tanë.
Biri imë bëhu luftëtar besnik i amanetit tonë, pyetmi shokët a e quan amanetin në vend apo mbeti në gjysmë të rrugës.
Unë vërtet kam ra në altarin e lirisë por i vdekur s’jam.
Kandelat nga varri im dalin herë pas here për t’u treguar se zjarri i lirisë, barazisë e bashkimit s’është shuar dhe s’do të shuhet kurrë derisa amaneti s’është përmbushur.
Amanet ende i pakryer-fatkeqësisht.
Lavdi dëshmorëve të kombit shqiptar të rën për lirinë e Kosovës kësaj pjese të Shqipërisë!
S.M