Lulëzimi i krimit të organizuar nën qeverisjen Kurti dhe përfshirja e figurave publike në prodhim e trafikim narkotikësh –Shkruan;Hisen BERISHA,Deputet i Parlamentit.

Pas pesë vitesh të qeverisjes Kurti, kemi parë një përkeqësim të dukshëm në fushën e sigurisë dhe rendit, me lulëzimin shqetësues të laboratorëve të drogës në vend. Sipas raporteve zyrtare, këto struktura kriminale kanë marrë hov, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe duke vënë në rrezik të ardhmen e brezave të rinj. Situata është veçanërisht alarmante, duke pasur parasysh përfshirjen e grupmoshave të reja në shkolla të mesme, si dhe praninë e elementeve të kriminalizuar në nivelet përfaqësuese të politikës dhe qeverisjes, përfshirë Kuvendin dhe kabinetet ministrore. Rasti i fundit i zbuluar nga Policia e Kosovës më 22 shtator 2024, ku u gjet një laborator për përpunimin e heroinës dhe kokainës në Prishtinë, është vetëm një shembull i dëshmive të vazhdueshme që tregojnë përkeqësimin e gjendjes së sigurisë. Këto struktura kriminale kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohe, pa u ndaluar në kohë nga autoritetet, duke treguar një mungesë të thellë kontrolli dhe ndëshkimi. Gjithashtu, rasti i arrestimit të asambleistit Mujeci në Tiranë për trafikim narkotikësh është një tjetër tregues i përhapjes së kriminalitetit në mesin e figurave publike, jo vetëm brenda Kosovës por edhe përtej kufijve të saj. Ky skandal përforcon shqetësimin se individë me pozita politike po përfshihen drejtpërdrejt në aktivitete të paligjshme, duke dëmtuar më tej besimin e qytetarëve në institucionet përfaqësuese. Qeveria ka dështuar në parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre aktiviteteve kriminale, ndërsa politikat e zbatimit të ligjit kanë mbetur të dobëta dhe të paefektshme. Ky dështim nuk është vetëm një tregues i mungesës së kontrolleve adekuate, por edhe një pasqyrë e një ambienti ku krimi lulëzon nën indiferencën ose paaftësinë e strukturave shtetërore. Përfshirja e elementeve kriminale në nivelet më të larta të institucioneve, siç është rasti i deputetëve të evidentuar nga Policia e Kosovës në Prizren dhe skandali me kabinetaren e Ministres së Drejtësisë, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për besimin në institucionet shtetërore. Në vend që të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të forcojë organet e zbatimit të ligjit, qeveria ka lejuar që krimi i organizuar të gjejë terren pjellor për veprim. Prania e strukturave kriminale brenda dhe jashtë institucioneve nuk është thjesht një pasojë e politikave të gabuara, por edhe një tregues i qartë i mungesës së vullnetit për të luftuar seriozisht krimin e organizuar dhe për të siguruar rendin dhe sigurinë e qytetarëve./www.QendraPress.com