Lushtaku pas votimit të Komisioneve Hetimore: Kuvendi nuk i nënshtrohet urdhrave të qeverisë e as diktatit të partisë në pushtet
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë ligjvënës nuk i nënshtrohet urdhërave të Qeverisë e as diktatit të partisë në pushtet.Ky reagim, ka ardhur pas votimit të dy Komisione Hetimore për energjinë elektrike, për të cilin u kundërshtua me javë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.Tutje, deputeti i PDK-së ka thënë se protesta e tyre në Kuvend ishte në shërbim të zbardhjes së skandalit energjik në Kosovë, teksa thotë se themelimi i Komisionit Hetimor do t’i hap rrugë shumë dyshimeve.
Postimi i plotë i tij:
Sipas rregullimit kushtetues në Kosovë, Kuvendi është organi më i lartë ligjvënës pasi ai del drejtpërdrejtë nga vullneti i qytetarëve.Kuvendi nuk i nënshtrohet urdhrave të qeverisë e as diktatit të partisë në pushtet. Protesta jonë brenda Kuvendit sot ishte në shërbim të zbardhjes së skandalit energjik në Kosovë, kurse themelimi i Komisionit Hetimor do t’i hap rrugë shumë dyshimeve të bazuara, të dala edhe në opinionin publik tashmë.Është mirë që edhe pozita e kuptoi që vullneti kushtetues i 40 deputetëve nuk mund mbivotohet me diktate që kanë për qëllim ta dëmtojnë interesin e qytetarëve, duke paguar 100% më shumë në kohën kur Kosova ka prodhuar mjaftueshëm energji. Nga sot, hetimi duhet të shkojë deri në fund!