Marsi i së dielës  poetike me poeten;-Rudina Muharremi BEJA

KA RENDUR KOHA…

———————————-

Ti e di, kur më mer malli,

mermerëve trokas e vij të flas…

Vetë më premtove se aty do të jesh,

në mos aty, në grep të hënës

në tingull t’kambanës

apo në dritën e një vetëtime

që, plaguar, bie diku…

Ah, ndoshta në këtë çast,

vetëm rrokullisesh në gardh qerpikësh

Kanë rendur vitet, At,

por shiu i verbër që krahët thyente

tjegullave të kuqe

e me duf rrëzohej xhadesë së vjetër,

zbrazëtia e tmerrshme e atyre ditëve

kujtimeve, gjatë do të mbetet…

Edhe shtëpitë, tashmë kulmrrëzuara,

që s’di në ruajnë më erën tënde

Oborret gjurmën a ta kanë ruajtur

me dyert e mbyllura,

e trëndafilë të pikëlluar shprese?!

Ka rendur koha, At,

që kur erërat, më morën me vete

e më dërguan nga trishtojnë̈ stinët.

Lodhja, ku është kthyer në vuajtje,

për të rënduar gjithmonë

fundit të errët të memories

e shpatullave, poshtë të cilave

krahët e mi të brishtë

presin të shpalosen në fluturim.

/www.qendrapress.com/