Mbi 100 aksidente trafiku për një ditë në Kosovë, mosrespektimi i rregullave një ndër shkaqet 
Mosrespektimi i ligjit dhe rregullave në trafik, ka bërë që aksidentet rrugore të shndërrohen në një prej problemeve shumë serioze në Kosovë. Pothuajse çdo ditë raportohen dhjetëra aksidente, shumë herë me të lënduar, por edhe me fatalitet. Sipas statistikave të 24 orëshit të kaluar, Policia ka njoftuar se janë shkaktuar 26 aksidente me të lënduar dhe 76 me dëme materiale. Sinjalizuesit e Sinjalit kanë dërguar informacione për disa nga ky numër i madh i aksidenteve që kanë ndodhur dje e sot në vendin tonë.
Në mesin e aksidenteve që kanë ndodhur dje është edhe goditja e një këmbësori në Malësi të re të Prizrenit, i cili pësoi lëndime të rënda. Vetura e ka përplasur këmbësorin teksa po kalonte rrugën duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore, për çka po vazhdon trajtimin mjekësor. Edhe në fshatin Vinarc ka pasur aksident dje, në mes të dy veturave, ku si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë, njëri automjet ka goditur tjetrin dhe janë lënduar shoferët dhe pasagjerët. Njëri prej tyre ka pësuar edhe frakturë në dorë. Një aksident me lëndime të rënda, ku u përfshinë tri vetura ka ndodhur edhe në Suharekë gjatë ditës së djeshme. Shkak këtë herë dyshohet se ka qenë mosmbajtja e duhur e distancës që pasoi me përplasje, për shkak të kolonës. Lëndime ka pësuar njëri shofer, i cili në gjendje të rëndë është dërguar në spitalin rajonal. Gjatë së mërkurës, ka ndodhur edhe një aksident në Gërmovë të Vitisë, ku një person ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka përfunduar jashtë rrugës, duke pësuar lëndime trupore. Por edhe dita e sotme ka nisur me aksidente. Në Gjilan janë përplasur dy automjete. Një veturë dhe një motoçikletë, ku për pasojë një person ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman. Në orët e para të mëngjesit edhe në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, ka ndodhur një aksident ku janë përfshirë dy vetura, si pasojë e mosrespektimit të rregullave, me ç’rast njëri shofer është lënduar.Ndryshe, përveç aksidenteve, në raportin e fundit të Policisë thuhet se janë shqiptuar edhe 2310 tiketa trafiku.