Mbi 400 kërkesa të AKI-së për përgjimin e personave të dyshimtë
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka kërkuar mbi 400 leje për të përgjuar persona të dyshuar gjatë viteve 2020-2021 dhe katër muajt e këtij viti .Gjykata Supreme e cila është e obliguar të trajtojë kërkesat e AKI-së nuk ka dhënë shumë detaje rreth tyre urdhrave të lëshuar me arsyetimin se këto informacione janë konfidenciale. Është institucion që për mision ka të identifikojë të gjitha rreziqet ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.E, për të bërë një gjë të tillë, Agjencia e Inteligjencës përdorë metoda dhe teknika të ndryshme.Një nga to është edhe përgjimi i komunikimeve elektronike. Këtë formë, AKI e ka praktikuar goxha shpesh gjatë dy viteve të fundit. Për t’i realizuar këto përgjime, Agjencisë së Inteligjencës i nevojitet një urdhër nga Gjykata Supreme.Pranë instancës më të lartë gjyqësore në vend, Agjencia e Inteligjencës për pak më shumë se dy vjet ka parashtruar 418 kërkesa për përgjime.Një gjë të tillë, për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar vet Gjykata Supreme.“Në vitin 2020 nga AKI në Gjykatë Supreme, janë pranuar 139 kërkesa për përgjime. Në vitin 2021 janë pranuar 232 kërkesa të tilla dhe në vitin 2022 janë pranuar 47 kërkesa deri më sot”, thuhet në përgjigjen e tyre.Gjykata ka ofruar të dhëna vetëm për numrin e kërkesave që i kanë shkuar për trajtim, por jo edhe të atyre që janë aprovuar dhe refuzuar.Supremja nuk ka treguar se për çfarë lloji të veprave janë kërkuar përgjimet, me arsyetimin se këto informacione janë tepër konfidenciale.Me arsyetimin e njëjtë, Gjykata nuk e ka bërë të ditur as numrin e personave të përgjuar gjatë dy viteve të fundit.Ligji ia ndalon AKI-së të kryejë përgjime pa marrë urdhër nga gjykata.Shkeljet eventuale të punonjësve të AKI-së, duke përfshirë rastet e përgjimeve, hetohen nga zyra e Inspektorit të Përgjithshëm.Ish-udhëheqësi i këtij mekanizmi, Shkelzen Sopjani thotë se rastet e tilla janë trajtuar me seriozitet.“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse Inspektorati, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm e bën auditimin, inspektimin dhe hetimin e rasteve nëse vlerësohet se ka shkelje. Prej përvojës, procesi është trajtuar me shumë kujdes. Kështu që ka qenë proces i ndjeshëm dhe është trajtuar me kujdes të veçantë, kështu që nuk është se ka pasur ndonjë shqetësim”, ka thënë Sopjani. Ligji i mundëson AKI-së që informacionet t’i mbledhë përmes përgjimit mobil dhe statik të cilat realizohen edhe përmes agjentëve të fshehtë.Përgjimi teknik me pajisjet për dëgjim dhe përcjellje janë po ashtu ndër metodat që punonjësit e AKI-së lejohen t’i përdorin. /PortaliD/