Me krijimtarinë letrare nga;Edmira Xhaferi

0

VIOLINA PA EMËR

——————————–

Ai hyri thuajse vjedhurazi në barin ku po pija një makiato dhe si u end për disa çaste në tavolinat përqark, qëndroi i heshtur përpara meje me dorën e djathtë zgjatur për lëmoshë. Ishte një burrë shtatshkurtër me flokët e mbushur me thinja e me një veshje të vjetër, nđërsa në dorën e majtë mbante një violinë, e cila dukej e vrarë nga përdorimi dhe vuajtjet e të zotit.

E gjithë pamja e tij fliste dhe ankohej për ditë e vite të kaluara mes mundimeve dhe sakrificave.

E vështrova ngultas një çast. Qenia e tij qe mbuluar nga heshtja e pritjes dhe vuajtjes.

Sytë më ndalën tek gishterinjtë që mbanin violinën, mbi njërin prej të cilëve dallova shenjën që fliste për të qenit pro votes.

-Paske votuar? – e pyeta me zë të qetë.

-Patjetër, – ma ktheu me zërin e tij të zvargur. – Njëri duhet të fitoje…

-Ti, për kë votove?

-Për atë që fitoi.

Idhshëm tunda kokën…

-Atëherë ik përpara kryeminstrisë, sepse lëmoshën ta jep ai që ke votuar – ia ktheva me zë të qetë.

Ai uli.kokën dhe u largua ashtu zvargur dhe pa zhurmë, siç edhe pat ardhur me violinën e thyer, të cilën e futi nën sqetull, duke marrē me vete dhe neverinë time për nje popull që shitet për kaq pak… E teksa shihja njeriun që ikte, në mendje më erdhi ai që për dy kilogram domate, dhuroi kartën e identitetit.

Desha ta fshija prej syve këtë pamje. Hodha sytë përtej nga rruga… Diku, tutje, sytë më panë dikë që, me helmetën në modelin e flokëve të tij, po gërmonte në kazanin e plehrave, ndoshta për të gjetur një kothere buke apo ushqimin për vaktin që sapo kishte ardhur…

E unë, …nxitova të rinovoj pasaportën, afati i përdorimit të së cilës më kishte kaluar në kohë, e që më duhej për të braktisur gjithçka që flet shqip.

EDMIRA XHAFERI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *