Memli Krasniqi refuzon ftesën e Kurtit: Takohemi vetëm për marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Krasniqi, i ka kthyer përgjigje me shkrim kryeministrit Albin Kurti, ku i ka thënë se mund të takohen vetëm për diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë.“Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Krasniqi në letrën që i ka dërguar Kurtit.Ai ka thënë se qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbeteti njëjtë dhe konsistent.“Në procesin e Dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, thuhet në letër.