Memli Krasniqi: Vendi është në ditët më të vështira që nga çlirimi

                         Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se Kosova është në ditët më të vështira që nga çlirimi.Sipas tij, vendi është në një depresion me njerëzit të cilët presin para ambasadave për një vizë për t’u larguar.“Jeni dëshmitarë se aktualisht Kosova është në ditët më të vështira të saj që nga çlirimi i vendit. Ekonomia e vendit tonë nuk po zhvillohet, shtetësia jonë po kontestohet, lufta jonë për liri po gjykohet, ndërsa qeveria jonë nuk ka zgjidhje për asnjë nga krizat e njëpasnjëshme që i ka prodhuar vetë dhe çka ka sjellë kjo gjendje sot, një frymë depresioni. Familjet kosovare janë në krizë sociale, puna është e pamjaftueshme dhe perspektiva shihet duke pritur për një vizë në ambasada të huaja. Gjendja është e rëndë por duke ju parë juve sot e di që nuk ka gjendje të rëndë që mund ta ndalë vullnetin e juaj për t’i kthyer gjërat mbarë”, deklaroi Krasniqi gjatë Konventës VII të Rinisë Demokratike të dielën, ku ftoi rininë që të angazhohet pranë forumeve të PDK-së.Kryetari i PDK-së ka shtuar se mision i të rinjve por edhe i vetë Partisë Demokratike është “që të thyejnë këtë depresion dhe të mbjellin shpresën dhe të ardhmen që i duhet këtij vendi”.Krasniqi u bëri thirrje të gjithë të rinjve të PDK-së që të angazhohen, duke u thënë se jan forca e vetme që mund të ndryshojë Kosovën.