Mesdita e së dieles me 5 poezi nga libri: Agmia e fjalës…-Gëzim Ajgeraj
Ditën kur të nisesh
————————-
Atë ditë kur udhët të japin udhë
E të vjedhin bashkë me arkën e kujtimeve
T ’ i palosë një nga një ëndrrat e dështuara
Këngët e jetës të lëna në gjysmë
Dhe të nisesh shtigjeve të një ëndrre të re
Që s’di as vetë se në ç’ shteg të pret
Diku pritave të harruara të mallkimit
Ti tanimë je bërë fletë
E lojës së erërave në degën e thyer
E me furtunën e tyre t’i ngarkon ëndrrat
Udhëve të pakthimit
—
Çaste vegimi
———————-
Prapë fundviti, motet e tjera ikën harrimit
Mall, udhë e ëndrra të mbytura në zhgënjim
Ç’ t’ i japim mosharrimit dhe ditës për nesër
Ç’ është kjo vegulli dhe ky qiell i thyer mbi muzë
Të paktën mbi fjalë të pikojë një kokërr shprese
Se si s’ më ndahet etja për mbathcat e kthimit
Ditën ma shkreton dhe çastet për fjalën
Janë do troje të shkreta buzë Sharri, në Vërri
Letër m’ i qojnë mallit orë e çast mbi Alpe
Ec e nxirre frymëzimin nga sirtari i përmallimit
Për orën e madhe të mosharrimit të nesërm
Zvicër, funddhjetor 2021
—
Çast
—————-
Sythet e fillimvitit pikojnë etshëm mbi çastet alpike
Mbi stalagmitet e pritjes përmallshëm lëngon largësia
E diku mbi lëvozhgën e vegimeve mbështjellë mallin
Që të mos mërdhijnë motet e largësive të acarta
Mbi akullin e pritjeve të shpresave të kthimeve
Udhët lëvjerren si kalaveshët e vesës mbi degën e ikjeve
Dhe mbështjellin orë e çast ëndrrat e mërdhirë
Derisa vonesa e moskthimeve muzon kronikave të pritjes
Dhe me këngët e dhimbjes zbukuron motet e udhëve
Për dritën e të nesërmeve mosharrimit i ndezim kandil
Dhe çastet alpike djegim në mall të mos mbeten harrimit
Janar, 2022, Zvicër
—
Nga kronika e ikjes
————————-
Na kërkoi një ikje shekujve na kish pritur
Na gjeti me natë nën qiellin e nxirë ballkanik
Mblodhi ëndrrat e i copëtoi si kristale pas nesh
S’ la këngë ndër lisa as përshëndetje nuk la
E mblodhi në një thes të djeshmen e kujtimeve të njoma
Shumëkujt pa i dhënë përshëndetjen e ikjes
Një mal me ëndrra i dogji në një çast
Dhe këngët e pakënduara për lirinë e Atdheut
Idealit në fyt ia la amanetin e të parëve
Dhe me një strajcë dhimbjeje në gjoks
I dha udhë ikjes, udhët u bënë mall
2022, Zvicër
—
Ti, vetmia e udhëve dhe fjala
——————————————
Ti mbete mall ai i djegshmi mes Alpeve
Me një mijë vegime mbi udhën e ikjeve
Dhe vetminë që grinë çastet me muzën e përmalltë
Të shoh përditë tek mbytesh me vetminë e heshtjes
I dehur mes muzash shtrydh metaforat e fjalës
Dhe me thnegla vargjesh mbyt harrimin e ditëve
Ti mbete udha në udhë dhe largësia
Kënga e dhimbjeve të përmallta nga plaga e etnisë
Fjala që shtrydhë dhimbjet e ditëve të përmallta
Me ty fjala mori ngjyrat e dhimbjes
Vegullia e udhëve u zhvesh nga lakmia e mashtrimit
Plaga e etnisë u shikua në pasqyrën e mallkimit
Ç’ t’ i them më shumë për sonte vetmisë tënde
Pranë kësaj mbrëmjeje alpike dhe janarit të acartë përtej xhami
Zvicër, 2022