Metamorfoza e dhimbjes-Nga;Rudina Muharremi Beja

0

Fishkëllima e ngjirur e lokomotivës i kujtoi se ishte ora tre e pasdites kur mbylli derën e xhamtë pas mbarimit të shërbimit të turnit të parë, por kur mendoi se do të kthehej sërish pas dy-tre orësh një rrënqethje e përshkoi të tërën e fytyra iu ndez si në ethe…

Rrotull ndihej se kishte ardhur vjeshta pasi kodra përballë tek-tuk vizatonte njolla të verdha, kurse në qiell retë lodronin të shqetësuara duke rendur kaltërsive për t’u fshehur më pas maleve që lartësonin kreshtat e thepisura

Një fllad i lehtë i rrihte fytyrën e djersitur tek përshkonte në këmbë udhën drejt shtëpisë çuditërisht, tërësisht të boshatisur

Ndjeu një pikëllimë të mprehtë në stomak dhe befas gjithçka përreth iu duk sikur u mbulua nga një cohë e hollë pluhuri dhe pa u menduar dy herë bëri të përgatiste diçka për të ngrënë

Teksa priste picën të ngrohej vijoi të lozë me pirunin që mbante në dorë si për të mposhtur atë ngulmim therës të stomakut që i ngjante një urie të çuditshme

As vetë s’e dinte pse ishte e shqetësur veç psherëtiu me ngërç duke mbushur gotën me ujë e duke e vënë mbi tavolinë. Një përgjumje sikur donte t’ia mekte gjymtyrët ndërsa ndiente qepallat t’i rëndoheshin ngadalë…

Mori picën nga furri që tashmë kishte njoftuar kohën me një tingull të fortë dhe u ul të hante, por s’bëri në kohë pasi zilja insistuese e telefonit e bëri të çohej.

U habit kur pa t’i shfaqej në ekranin e vockël të telefonit numrin i të shoqit shoqëruar me një zë që aspak s’i ngjante të tijit…

Ndryshoi menjëherë pamje kur nga krahu tjetër dikush e njoftoi për një aksident të beftë në ambientet e një kantieri ku ishte përfshirë keqas i shoqi që në ato çaste nuk ishte në gjendje t’i fliste….

Kafshata mbetur përgjysëm iu duk se do t’ia zinte frymën kurse qielli dukej se prej ngrysjes donte t’i binte mbi kokë…

Mblodhi veten aq sa mundi dhe u ngjit shpejt në katin e dytë të merte çelësat e makinës ndërkohë që nga krahu tjetër ai dikushi që nuk u prezantua i jepte informacione të sakta se në cilin spital gjendej në atë çast i shoqi, ndërsa lotët që rridhnin pa ndalim e vështirësonin gjetjen e tyre…

U përpoq të ikte fshehurazi por e bija i kishte vënë re të gjitha këto lëvizje të pazakonta dhe duke i shtrënguar dorën i kishte folur:

-Jo tani mama, tani nuk është momenti të qash!

Vrapo tek yt shoq…!

Rënkoi fort por e mbyti pa dalë atë klithmë dhe nuk thërriti ndihmë ndonëse ia ndiente britmën ta kapte për zverku

Ndjeu kyçet t’i ngurosen dhe kryet t’i gjëmonte mbytur kur mendonte skenën që mund t’i shfaqej por e mblodhi veten me mundim dhe kapërceu korridorin e frikshëm e të angësht, pushtuar prej ankthit të hapave të saj…

Shpërfilli zotërinë në hyrje që merrej me të dhënat tashmë të detyrueshme në respekt të normave kundër virusit “ligavec” dhe me sy kërkonte “peisazhin” e ngrirë që shpalosej matanë perdes që mbyllte ca mura të shurdhëta teksa një zemërim që s’kishte njohur ndonjëherë i pushtonte kraharorin.

Ndjeu fytyrën t’i ngurtësohej kur pa t’i avitet infermierja që i la në dorë këpucët e tij të punës dhe doktori që e ftonte të ruante gjakftohtësinë.

Një britmë therëse çau ajrin për t’u mbytur po aty. Mori frymë thellë dhe gjeti forcën të kapërcente atë prag …

Ai qëndronte i heshtur, i vetëm i zverdhur si një gjethe vjeshte në atë sallë të angësht ku dëgjohej vetëm tik taku i orës që të çirrte nervat

Çeli sytë , si ta kishte ndierë aromën e saj të mbërrinte dhe duke mbledhur të gjitha forcat që kishte i foli me një zë të butë e një buzëqeshje të imët:

-Sot është dita e parë e vjeshtës, gjethet fillojnë të bien…,

rashë dhe unë…

Me gjithë dhimbjet që kishte, nënqeshi duke përpjekur të metaforizojë atë ç’kishte ngjarë brenda thurrimës që lartësohej të atij kantieri me hekura të akullt pasi e njihte dobësinë e saj për fjalën dhe për natyrën, sidomos për stinën e vjeshtës

-U desh ta provoja se sa e fortë ishte dhimbja e brinjeve prej së cilës Zoti, krijoi gruan si prehje dhe qetësi të shpirtit të burrit – kishte vijuar me të njëjtin zë dhe me të njejtin vështrim të ëmbël duke u përpjekur mëkot të zhvendosë trupin e mpirë nga ai qëndrim i gjatë në një krah.

-Më trembe shumë- mundi të belbëzoi ajo duke rrokulisur ca lot e duke mbështetur kokën në gjoksin e tij nga ku ndihej zemra të rrihte si e çmendur në atë kafaz tashmë të dëmtuar jo pak….

Ekipi i mjekëve dhe infrmiereve përreth që vështronin ëmbël ndonëse s’po kuptonin asgjë, i lanë ashtu të vetëm për disa çaste për t’u rikthyer e për t’ia marrë sërish…

24/09/2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *