Milionat e BE-së për Ballkanin Perëndimor, a do të përfitojë Kosova?
Këshilli i Bashkimit Evropian në maj kishte miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument kyç për mbështetjen e reformave të lidhura me BE-në dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në rajon.
Vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë i kanë dorëzuar agjendat e tyre të reformave Komisionit Evropian, duke përfshirë reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të zbatojnë gjatë tre viteve të ardhshme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka planifikuar një drekë pune me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor më 19 shtator në Bruksel.
Ndërsa Komisioni Evropian kishte planifikuar të miratonte agjendat e reformave para 19 shtatorit, ky proces është shtyrë për tetor, pjesërisht për shkak të vonesave të Bosnje e Hercegovinës.
Vendet anëtare të BE-së do të kenë rolin kryesor në miratimin e burimeve financiare, ndërsa pagesat do të kryhen dy herë në vit, në varësi të përmbushjes së kritereve të vendosura në agjendat e tyre.
Në rast se parakushtet e reformave nuk përmbushen, BE-ja rezervon të drejtën për të pezulluar disbursimin e fondeve.
Përfitimet dhe kushtet e Planit të Rritjes
Plani i Rritjes për periudhën 2024-2027 synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor me një fond prej gjashtë miliardë euro, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë janë kredi me kushte shumë të favorshme. Qëllimi kryesor i planit është harmonizimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me vlerat dhe standardet e BE-së, për të përgatitur anëtarësimin e tyre të ardhshëm dhe për të lehtësuar integrimin në tregun e vetëm evropian. Ndihma financiare synon gjithashtu përkrahjen e reformave në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe zhvillimin socio-ekonomik. Vendet që përfitojnë nga ky plan do të duhet të përgatisin agjenda të qarta reformash dhe të kontribuojnë në përputhjen progresive me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ndihma financiare nuk është e pakushtëzuar; përfitimi nga fondet varet nga respektimi i vazhdueshëm i mekanizmave demokratikë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Kushtet për Kosovën dhe Serbinë Kosova dhe Serbia, për të përfituar nga Plani i Rritjes, duhet të përmbushin një kusht shtesë që lidhet me normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
Kjo përfshin angazhimin në progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në zbatimin e plotë të Marrëveshjes për normalizimin. Po ashtu implementimin e marrëveshjeve të mëparshme në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja./Telegrafi/