Ministri Murati: S’ka shtesa për punëtorët e sektorit privat 

                                      Pavarësisht shtesave për punëtorët e sektorit publik, në kuadër të pakos për përballje me inflacionin, Qeveria e Kosovës nuk do të ndajë shtesa edhe për ata të sektorit privat. Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati.Në një konferencë për media bashkë me misionin e FMN-së, ministri Murati tha se Qeveria ka synuar që të ketë rritje të pagave në sektorin publik, ndërsa në sektorin privat, tha ai, rritjen e pagave duhet ta bëjë punëdhënësi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Çka kemi dashur të bëjmë si qeveri, ka qenë që të sigurohemi se ka një rritje permanente të pagave në sektorin publik. Pra t’i mbështesim punëdhënësit që t’u rriten pagat në mënyrë permanente. Sepse ne si qeveri kemi dhënë një mbështetje, por ajo ka qenë një mujore. Në sektorin privat, rritja e pagave duhet të vij nga punëdhënësi. Dhe këtë punëdhënësit kanë hapësirë, ne këtë e shohim nga niveli i qarkullimit edhe nga mbledhja e tatimit në fitimin e korporatave. Fitimi i korporatave është më i lartë se që ka qenë ndonjë herë, pra ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat. Dhe ne si qeveri do të insistojmë në këtë”, tha Murati.

Ai u ka bërë thirrje kompanive të sektorit privat që ta shfrytëzojnë ofertën e Qeverisë për subvencionim të gjysmës së shtesës së pagave për punëtorët e këtij sektori për tre muaj, siç parashihet në kuadër të pakos.

Për më tepër, Murati ka apeluar që kompanitë private të mos e rrisin fitimin vetëm për vete, por ta ndajnë edhe me punëtorët.

“U bëjë edhe një herë thirrje që kompanitë private ta shfrytëzojnë mundësinë që ofron qeveria për të mbështetur tre muajt e parë rritjen pagave, në mënyrë që t’i rrisin pagat edhe në sektorin privat, sepse ka hapësirë. Si qeveri kemi mbështetur sektorin privat edhe bizneset për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Si qeveri kemi ndarë subvencion prej 100 milionë euro për të mos lejuar që tarifat të rriten në mënyrë të papërballueshme. Sektorin privat e kemi mbështetur në vazhdimësi, dhe presim që edhe këto kompani të mos e shfrytëzojnë rastin vetëm të rrisin marzhat e tyre të fitimit siç kanë bërë deri tani, por që një pjesë të atyre fitimeve ta ndajnë edhe me ata që ua mundësojnë këtë fitim, me punëtorët në këtë rast”, tha ai.

Me pakon e fundit për përballje me inflacionin, Qeveria e Kosovës ka paraparë ndarjen e shtesave prej 50 euro nga muaji shtator, për punëtorët e sektorit publik, 100 euro të menjëhershme për ndërmarrje publike, si dhe nga 100 euro për pensionistët dhe studentët. /Reporteri.net/.