Në Poslisht të Prizrenit po zhvillohet aksioni tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut

Në fshatin Poslisht të Prizrenit po zhvillohet aksioni tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut, një aktivitet që synon të nxisë humanizmin, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin qytetar për rëndësinë e dhurimit të gjakut.

Në këtë nismë po marrin  pjesë dhjetëra banorë të fshatit dhe zonave përreth, të cilët kanë dhuruar gjak në mënyrë vullnetare, duke kontribuar në plotësimin e nevojave për rezerva të gjakut dhe në mbështetjen e pacientëve që kanë nevojë për transfuzion.

“Fshati Poslisht vazhdon të jetë shembull i humanizmit dhe solidaritetit. Edhe këtë vit po organizohet me sukses aksioni tradicional i dhurimit vullnetar të gjakut, duke dëshmuar edhe një herë se vlerat njerëzore dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët mbeten pjesë e identitetit të këtij komuniteti”, thuhet në njoftim të fshatit.

Aksioni i dhurimit të gjakut do të vijojë deri në orën 14:00, ndërsa qytetarët që plotësojnë kushtet shëndetësore ftohen t’i bashkohen kësaj nisme humanitare dhe të japin kontributin e tyre për shpëtimin e jetëve.

Organizatorët kanë falënderuar të gjithë dhuruesit vullnetarë, ekipin mjekësor dhe personat që kanë kontribuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, duke theksuar se çdo dhurim është një akt solidariteti që mund të shpëtojë jetë.