Në SHBA projektligj për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor 
Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregëtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Projekligji, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan Roger Wicker.
Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.
“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njejtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një ligjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, tha zonja Shaheen në prezantimin e iniciativës në faqen e saj në internet.
Projekligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit.
Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.
Po kështu synohet nxitja e partneritetin universitar, inkurajohet angazhimi i Korpusit të Paqes në rajon, krijimi i një iniciative për udhëheqësi rinore në Ballkan dhe si kërkohet nga Korporata Financiare për Zhvillim që të hapë një zyrë të shpallur më parë në rajon.
Zonja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill Kosovën, Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, mes shqetësimeve rreth ndikimit të konfliktit në Ukrainë, në Ballkanin Perëndimor. Vizita e tyre kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes Uashingtonit dhe Ballkanit Perëndimor, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen.