“Pa PDK-në nuk mund të sigurohen numrat për rrëzimin e Qeverisë”
Nisma e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, për ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti, është vështirë e realizueshme thonë njohësit e çështjeve politike në Kosovë. Sipas tyre, pa një bashkëpunim mes partive politike dhe pa një vullnet të mjaftueshëm të një shumice të partive politike parlamentare, nuk pritet që të ketë sukses kjo nismë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë të enjten në Kuvendin e Kosovës, se VV, do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e seancës, për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.
Lexo Edhe:
Pamje të rënda: I riu grushton disa herë qenin
Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, që ta përkrahin këtë nismë, por nuk ka treguar nëse ndonjëra parti ka treguar tashmë përkrahje për mocionin.
Lidhur me këtë iniciativë, VV-ja tha se i ka njoftuar edhe partitë tjera parlamentare, atë opozitare Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), dhe partitë në pushtet, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate, si dhe grupin parlamentar 6 plus.
VV-ja mendon se qeveria aktuale është “e paaftë për të qeverisur vendin”; për të menaxhuar pandeminë, dhe se i mungon plani për rimëkëmbje ekonomike.
Për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve. VV-ja i ka 31 deputetë në grupin e saj parlamentar.
Paçarizi: Pa PDK-në nuk mund të sigurohen numrat
Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi, njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje pa një bashkëpunim të ngushtë me PDK-në, nuk mund t’i sigurojë numrat për rrëzimin e qeverisë.
“Ndoshta mund të mblidhen nënshkrimet e domosdoshme për ta hedhur në votim çështjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë, mirëpo këtu do të ketë pastaj pazare të shumta. Duke pasur parasysh që Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar të hyjë në një koalicion tjetër qeverisës, por të shkoj drejt në zgjedhje, kjo situatë behet pak sa më e vështirë, sepse partitë tjera politike, para së gjithash PDK -ja, nuk besoj se në ketë situatë është e interesuar të shkoj në zgjedhje”, tha Paçarizi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës kohët e fundit ka pasur disa luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet partive partnere të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
Mosmarrëveshjet, kryesisht kanë të bëjnë me përfaqësimin e Kosovës në dialogun politik me Serbinë dhe emërimin e Skender Hysenit, si koordinator shtetëror i Kosovës në këtë dialog.
Paçarizi thotë se qeveria aktuale nuk e ka një shumicë të duhur në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, ajo ka numrin minimal të votave, por siç shprehet ai, as opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë.
“Prandaj unë mendoj që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një hap jo të menduar mirë, duke u mbështetur vetëm në krisjet aktuale në koalicionit qeverisës, për shkak të disa kritikave nga AAK-ja, gjoja për çështjen e dialogut, por unë mendoj se çështjet janë pak më meskine. Kjo më shumë ka të bëj me ndarjen e pushtetit, duke parë se kemi LDK-në e cila është mjaftë e brishtë në pushtet. Prandaj, unë nuk e shoh këtë si një veprim të duhur, dhe në kohën e duhur nga VV-ja”, tha Paçarizi.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, duke komentuar zhvillimet e fundit politike, mendon se nuk ka shumë vullnet të subjekteve politike, për të përkrahur mocionin e mosbesimit.
“Tani, iniciativat e mosbesimit ndaj qeverisë tek ne gjithnjë kanë përfunduar me rrëzimin e qeverisë. Do të thotë, në fakt asnjëherë një veprim i tillë nuk është ndërmarrë nga subjektet politike, pa u dakorduar edhe me subjektet tjera, dhe pa u garantuar se kanë numrat e mjaftueshëm”, tha Kryeziu.
Mocionet e mosbesimit ndaj qeverive të kaluara – të paktën dy prej tyre – siç ishte ajo ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa, dhe ish- kryeministrit Albin Kurti, kanë qenë të iniciuara nga vet partnerët e koalicionit.
Analisti, Paçarizi thotë se megjithatë PDK-ja edhe do të mund ta votonte mocionin, por pa kushtin e shkuarjes në zgjedhje.
“Ndoshta AAK-ja mund të votoj diçka të tillë, ndoshta edhe PDK-ja mund ta votoj një mocioni të tillë, por pa kushtin e shkuarjes në zgjedhje, përkundrazi, për tu bërë pjesë e qeverisë. Dhe në këtë kuptim unë mendoj që humbësja më e madhe do të ishte AAK-ja dhe më siguri edhe Nisma Socialdemokrate”, tha Paçarizi.
Hoti: Opozita nuk i ka numrat
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i tha televizioni T7 se VV-ja me nismën e saj “ka dashur të prodhojë lajm”, sepse nuk i kanë nënshkrimet dhe nuk ka komunikuar paraprakisht me as një parti politike. Hoxhaj këtë iniciativë e sheh jo serioze dhe si “mashtrim të radhës”.
“Deputetët e PDK-së do ta merrnin në konsideratë mocionin, vetëm nëse për mandatar do të caktohej kryetari i PDK-së, Kadri Veseli”, ka thënë Hoxhaj.
Kryeministri, Avdullah Hoti në një intervistë në po të njëjtin medium, tha se qeveria e tij po e bënë të pamundurën për përballje me pandeminë COVID-19 si dhe është e fokusuar në rimëkëmbje ekonomike.
“Qeverinë nuk e ka rrëzu asnjëherë opozita”, ka thënë Hoti, duke shtuar se opozita nuk i ka votat për një gjë të tillë.
Qeveria Hoti ishte votuar me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 3 qershor.
Kujtojmë se qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje është rrëzuar më 25 mars përmes një mocioni të mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti me të cilën VV-ja kishte krijuar koalicion qeveritar. Në mesin e arsyeve për mocion, LDK-ja pati përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie mund të ngrihet me propozimin e një të tretës së deputetëve të parlamentit.
Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës së parlamentit, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij, thuhet në tekstin e kushtetutës.