Pas vendimit të Kushtetueses, LDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Albulena Haxhiut
Dështimi i radhës për kapje të shtetit”. Kështu e ka definuar Lidhja Demokratike e Kosovës vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta hedhur poshtë Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës.Në reagimin e LDK-së, thuhet se Kushtetuesja i pranoi vërejtjet e partisë se ky ligj ishte kundërkushtetues, shkruan gazeta online Reporteri.net.“Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në reagim.“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë”.Pas këtij vendimi, LDK ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres Albulena Haxhiu, “si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.“Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”, vazhdon komunikata.