Përurohen renovimet e Repartit të Pulmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku zëvendëskryeministren në detyrë, Emijla Rexhepi, deputetë të kuvendit, dhe stafin drejtues të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit përuruan renovimet në Repartin e Pulmologjisë të këtij spitali.

Vlera e përgjithshme e investimit është 142 mijë euro. Nga ky investim 16%  përfshin furnizimin me shtretër dhe inventar të ri, kurse pjesa tjetër është aspekti infrastrukturor i repartit.

“Ky repart tashmë do të ofrojë kushte dhe pajisje moderne si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për performancën e mirë të personelit shëndetësor, duke siguruar komoditet për pacientët, nisur prej pastërtisë, rregullsisë, ndriçimit, ajrit të klimatizuar e kështu me radhë, e deri tek puna e palodhshme që e bën stafi mjekësor”, u shpreh Kurti.

E konsideruar si një qendër e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve respiratore dhe për mbrojtjen nga tuberkulozi, ky repart i cili vitin e ardhshëm shënon 80-të vjetorin e funksionalizimit, ka ofron shërbime mjekësore çdo ditë, jo vetëm për pacientët nga Prizreni, por edhe për ata nga Suhareka, Rahoveci, Dragashi, Sharri, Malisheva, Mamusha e madje edhe Kukësit të Shqipërisë

Nga Spitali i Prizrenit, kryeministri u shpreh përzemërsisht mirënjohës për punën, përkushtimin dhe angazhimin e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë stafit të Spitalit të Prizrenit, e në veçanti falënderues ndaj repartit të Pulmologjisë.